Ndërlidhjet

logo-print
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kombet e Bashkuara duhet të hetojnë urgjentisht sulmin e së mërkurës në Damask, ku dyshohet se janë përdorur armë kimike.

Nëse konfirmohet, Hoxhaj ka thënë se ai do të paraqiste sulmin më të madh kimik në dekadën e fundit. Sipas ministrit të Jashtëm, një gjë e tillë do të nënvizonte edhe faktin se tranzicioni politik nuk mund të pritet me një regjim që nuk kursen mjetet më barbare për të vrarë qytetarët e tij të pafajshëm.

Hoxhaj i ka bërë këto komente në një shkrim autorial për revistën amerikane “Foreign Policy”.

“Lajmet dhe imazhet e dhimbshme që vijnë nga Siria – civilë të vrarë, duke ikur nga shtëpitë e tyre apo duke gjetur shkatërrim në duart e regjimit të Bashar al-Assadit – ngjallin kujtime të dhimbshme për të gjithë ne që kemi përjetuar fushatën e spastrimit etnik në Kosovë, në vitet 1990, nga Sllobodan Millosheviqi”, ka shkruar Hoxhaj.

“Si burrështetas i Kosovës, por edhe si qytetar që ka parë vdekje dhe shkatërrim në duart e një të çmenduri, mund të them se është koha për komunitetin ndërkombëtar që të ndërhyjë – ashtu siç ka bërë më 1999 në Ballkanin Perëndimor – për t’i dhënë fund luftës civile në Siri”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka kujtuar se “përvoja e tmerrshme e Kosovës me Millosheviqin ka rezultuar me mijëra civilë të vrarë dhe shumë nga ta të masakruar”. “Që nga fillimi, populli im dhe qeveria kanë përkrahur aspiratat e popullit sirian për liri dhe demokraci”.
Hoxhaj ka thënë se është koha për diçka të re në Siri, ose “më mirë, është koha për një ide të vjetër që ka funksionuar më parë”.

“Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë në vitin 1999 shërben si model për aleatët tanë në Perëndim dhe në botën arabe, për t’iu dhënë fund vuajtjeve në Siri. Ndërhyrja humanitare nga bashkësia ndërkombëtare jo vetëm që ka sjellë fundin e spastrimit etnik, por po ashtu ka treguar se ideja klasike e sovranitetit shtetëror nuk mund të përdoret si mburojë për të justifikuar politikat shtypëse dhe krimet kundër njerëzimit”, ka shkruar ministri i Jashtëm kosovar.

Gjithnjë sipas tij, ndërhyrja në Kosovë ka konfirmuar se, edhe pa mandat të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, shtetet duhet të veprojnë për të parandaluar regjimet nga abuzimi me të drejtat e njeriut.

Si vend që sot gëzon lirinë dhe demokracinë falë aksionit të NATO-s, ne mbështesim fuqishëm idenë se sovraniteti nuk është e drejtë, por një përgjegjësi. Duke folur nga përvoja, ka ardhur koha për komunitetin ndërkombëtar që të ofrojë mbrojtje për popullin e Sirisë, ka thënë Hoxhaj.

Ai po ashtu ka theksuar se regjimi sirian ka kryer krime serioze kundër njerëzimit dhe ka dështuar të mbrojë civilët. Bashkëpunimi i afërt midis Perëndimit dhe botës arabe duhet të sjellë fundin e sundimit të Assadit dhe të lehtësojë tranzicionin politik, i cili i hap rrugën demokracisë në Siri, ka shkruar ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në revistën amerikane për politikë ndërkombëtare “Foreign Policy”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG