Ndërlidhjet

Në Maqedoni, përkatësisht në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit, është rritur numri i vetëvrasjeve dhe tentimeve për vetëvrasje, duke paraqitur kështu një sfidë për shoqërinë në përgjithësi.

“Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, në tërë territorin e Maqedonisë janë regjistruar 76 vetëvrasje dhe 107 tentime për vetëvrasje, derisa në rajonin e Shkupit ka pasur 12 vetëvrasje dhe 10 tentime për vetëvrasje. Krahasuar me një vit më parë, statistikat bëjnë të ditur se gjatë periudhës së njëjtë kohore ka pasur 12 vetëvrasje dhe 5 tentime për vetëvrasje”, bën të ditur Marija Jakovlevska nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë.

Sipas të dhënave, numri më i madh i vetëvrasjeve është shënuar në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit, ku vetëm gjatë këtij viti janë shënuar tri vetëvrasje më shumë krahasuar me një vit më parë, për periudhën e njëjtë kohore - këtë vit janë shënuar 12 vetëvrasje.

Arben Taravari nga Klinika e Fizio-neurologjisë në Shkup thotë se ka më shumë faktorë që e nxisin këtë veprim, siç është kujdesi i pamjaftueshëm i familjes, kriza ekonomike, dështimet në aspektin profesional dhe çrregullimet në shëndetin mendor, çështjet e dashurisë etj.

“Zakonisht, këto probleme paraqiten te mosha më e re, mosha e adoleshencës, që është mosha e rrezikut dhe pastaj ky fenomen paraqitet në moshën më të avancuar, pas të '60-ve, kur njerëzit mendojnë se janë të panevojshëm për shoqërinë, nuk mund të jenë të dobishëm, nuk kanë punë, janë të vetmuar. Pra, ky fenomen është më i theksuar në moshën e adoleshencës dhe në dekadën e tretë të jetës”, konsideron psikiatri Taravari.

Ai shton se shoqëria duhet të jetë më aktive sa i përket trajtimit të këtij fenomeni,

“Shoqëritë e zhvilluara në shkollat e tyre organizojnë edukim special për nxënësit, madje ka dhe fushata të ndryshme, të cilat target kanë grupet e rrezikuara, pastat njerëzit që kanë predispozita për të shkuar kah suicidicioni siç është neuroza ose zhvillimi i depresionit. Psikologët e kanë detyrë të punojnë ose t'i detektojnë faktorët e rrezikshëm dhe të tregojnë mundësitë për t`iu shmangur situatave të këtilla, gjë që për fat të keq, në shoqërinë tonë mungon”, shprehet Taravari.

Ndërkohë, sociologu Hasan Jashari, konsideron se numri në rritje i vetëvrasjeve është si pasojë e shpërfilljes nga ana e institucioneve përgjegjëse për të parandaluar fenomenin e vetëvrasjeve.

“Shteti social, i cili është shkruar në Kushtetutë, nuk funksionon. Numri më i madh i njerëzve ka mbetur vetë për t'i zgjidhur problemet e caktuara, ndërkohë që më parë socializmi i mbronte masat e gjëra popullore me masa të ndryshme, ani se atëherë ishte varfëri njerëzit kishin në masë të caktuar mbështetjen e shtetit. Tash njeriu me halle mbetet tërësisht i vetmuar, nuk ka përkrahje nga familja, miqtë, e as nga institucionet shtetërore”, thotë Jashari, ligjërues në UEJL në Tetovë.

Ndërsa, për Muhamed Alin, ligjërues në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup, akti i vetëvrasjes në islam konsiderohet si akti më i shëmtuar, për të cilin nuk ka asnjë justifikim. Ai thotë se edhe përfaqësuesit fetarë mund të kontribuojnë në parandalimin e këtij fenomeni, që duket se po lëshon rrënjë te gjeneratat më të reja si pasojë e depresionit.

“Ruajtja e trupit dhe shpirtit është një nga bazat më themelore të islamit. Të gjithë ne si njerëz, si myslimanë jemi të obliguar ta ruajmë trupin dhe shpirtin tonë. Vetëvrasja është në kundërshtim me parimet elementare të fesë islame. Vetëvrasja konsiderohet si kulmi i aktit të vrasjes”, shprehet Ali.

Ndryshe, të dhënat e policisë flasin se vetëvrasjet kryesisht bëhen me tableta helmuese, preparate higjienike, toksina të tjera ose varje me litar.

Shumica e atyre që kryen vetëvrasje këtë vit, janë burra deri në moshën 30- vjeçare, ndërsa më i riu që i mori jetën vetes ishte një 12-vjeçar. Rasti i fundit ishte ai i 16-vjeçares nga Shkupi, e cila i mori jetën vetes me armë zjarri në shtëpinë ku punonte si pastruese.
XS
SM
MD
LG