Ndërlidhjet

Porosia e ashpër e kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, se serbët nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale në Kosovë, në qoftë se në listat për votime do të jetë logoja e shtetit të Kosovës, apo nëse ato nuk do të jenë neutrale ndaj statusit, i ka befasuar zyrtarët në Bruksel.

Kjo për faktin se ende nuk ekziston ndonjë vendim nga Prishtina zyrtare se si do të duken fletëvotimet dhe as marrëveshja në Bruksel.

Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë në Bruksel, Rikard Dzhozviak, paralajmëroi se çështja e fletëvotimeve do të jetë një nga temat kryesore në takimin e ardhshëm Thaçi - Daçiq, që pritet të zhvillohet në Bruksel, më 27 gusht.

Fletëvotimet do të jenë një nga temat kryesore në takimin e dy kryeministrave, të Kosovës dhe të Serbisë, të martën e ardhshme. Qëndrimi i Daçiqit i ka habitur zyrtarët e Bashkimit Evropian. Ata dëshirojnë të gjejnë zgjidhjen dhe ato që BE-ja dëshiron t’i shmangë, janë dy lloje të simboleve në fletët e votimit”.

“Nga ajo që kam marrë vesh unë, ekzistojnë dy variante. Njëri variant është që fletëvotimet të jenë pa kurrfarë vule, as të Kosovës e as të Serbisë. Varianti tjetër, por më pak i mundshëm, është që vula e Bashkimit Evropian të vendoset afër vulës së Kosovës. Këto janë opsionet që do të diskutohen ditën e martë”, theksoi Dzhozviak.

Përderisa fletëvotimet ende nuk kanë një pamje të përcaktuar dhe për këtë pritet ende një marrëveshje, atëherë shtohet pyetja se me kë polemizon Ivica Daçiq?

Këtë pyetje po e bëjnë jo vetëm në Bruksel, por edhe në Prishtinë, për shkak se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ende nuk ka marrë ndonjë vendim, prej të cilit kryeministri serb, Daçiq, do të ndihej i provokuar.

Zoran Luçiq nga Qendra për zgjedhje të lira dhe demokratike në Beograd, për të krahasuar situatën, flet për atë se si çështja është e zgjidhur në Serbi.

Sipas tij, në fletëvotime ekziston identifikimi i shtetit vetëm në vulën, me të cilën vërtetohen ato fletëvotime, ndërkohë që siç thotë ai, ligji në Kosovë po ashtu nuk detyron në mënyrë obliguese që në fletëvotime të ketë çfarëdo logoje të shtetit të Kosovës.

“Askund në ligjin e Kosovës nuk qëndron që fletëvotimi të ketë çfarëdo simboli të Republikës së Kosovës, shtetit të Kosovës, krahinës së Kosovës apo çfarëdo tjetër... Shenja dalluese askund nuk përmendet. Do të ishte logjike që të bëhej një marrëveshje politike. Por, ajo që është e shkruar në ligj, është krejtësisht e qartë”, theksoi Luçiq.

Borko Stefanoviq, ish-shef i ekipit të Beogradit në bisedimet me Prishtinën, duke folur për Radion Evropa e Lirë, komentoi se si duhet të duket fletëvotimi.

Borko Stefanoviq

Borko Stefanoviq

“Ai duhet të duket ashtu siç janë marrë vesh dy delegacionet apo dy shefat e delegacioneve. Në qoftë se nuk janë marrë vesh për këtë, atëherë ky është një lëshim shumë i madh”, tha Stefanoviq, duke shtuar se në fletëvotim duhet të vendoset shenja se zgjedhjet janë për organet lokale dhe duke iu shmangur udhëzimeve statusore.

Ai, gjithashtu, theksoi se deklaratat e Daçiqit lidhur me zgjedhjet lokale në Kosovë, janë kontradiktore, sepse në një rast ai i kërcënon serbët lokalë në qoftë se ata nuk marrin pjesë në zgjedhje dhe, në anën tjetër, e porositë Prishtinën se serbët nuk do të marrin pjesë.

“Këto janë deklarata që shërbejnë për t’ju pëlqyer të gjithëve. Ai po shpreson se do të mbizotërojë arsyeja dhe se do të hiqen karakteristikat e statusit, gjë që do të mundësonte një dalje sa më të madhe të serbëve në zgjedhjet e nëntorit”, u shpreh Stevanoviq.

Ditëve të fundit, në mediat në Serbi dhe në Kosovë është shkruar, por edhe demantuar, se ndaj anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës po ushtrohet presion që fletëvotimet të mos përmbajnë kurrfarë shenja përcaktuese shtetërore.

Në anën tjetër, pritjet janë që lidhur me këtë çështje, vendimi të merret në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.(b.bislimi)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG