Ndërlidhjet

logo-print

Obama dhe Cameron shqyrtojnë opsionet për Sirinë


Foto arkivi

Foto arkivi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, dhe kryeministri i Britanisë, David Cameron, kanë thënë se janë “tejet të shqetësuar” dhe se janë duke shqyrtuar përgjigjen ndaj akuzave se Qeveria e Sirisë ka përdorur armë kimike në një sulm që ka vrarë qindra civilë.

Të shtunën, Obama ka takuar këshilltarët e tij të lartë dhe ka folur në telefon me Cameronin.

Në deklaratën që ka lëshuar zyra e kryeministrit britanik thuhet se Obama dhe Cameron janë shumë të shqetësuar për “shenjat në rritje” që tregojnë se forcat e regjimit sirian janë përgjegjëse për sulmin kimik, që ka ndodhur të mërkurën e kaluar.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se hetimet e tyre për incidentin janë duke vazhduar.

Qeveria e Sirisë ka mohuar se ka kryer sulmin me gaz toksik në periferinë lindore të Damaskut, duke fajësuar forcat rebele.

Organizata bamirëse “Mjekët pa Kufij” ka thënë se spitalet pranë Damaskut kanë raportuar 355 vdekje dhe rreth 3,600 pacientë me simptoma neurotoksikë.
XS
SM
MD
LG