Ndërlidhjet

Në pritje të shuarjes së strukturave paralele serbe në veri


Mitrovicë...

Mitrovicë...

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë paralajmëruar që deri në fund të muajit shtator, të mbyllen të gjitha zyrat e strukturave paralel serbe, në veri të vendit, në bazë të marrëveshjes së arritur në Bruksel.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha për Radion Evropa e Lirë se si institucione, presin që deri në fund të muajit të ardhshëm të mbyllen krejtësisht zyrat e strukturave paralele serbe.

“Janë marrë disa veprime që të mos pranohen lëndët e reja. Po ashtu, edhe të fillojë mbyllja e gjykatave. Ne presim që brenda muajit shtator të bëhet një mbyllje e tërësishme dhe integrimi i plotë deri në fund të vitit. Natyrisht, që ka tendenca për shtyrje, por jemi të bindur që kjo do të ndodhë dhe do të jetë integrimi sipas Kushtetutës dhe ligjeve tona”, tha Kuçi.

Kurse, autoritetet policore bënë të ditur se zyrat e MUP-it serb, të cilat deri më tash kanë funksionuar në veri të Kosovës, janë mbyllur krejtësisht. Njëri nga zëdhënësit e Policisë së Kosovës, Barahim Sadriu, deklaroi se nëntë nga zyrat policore sa kanë qenë duke funksionuar, tashmë janë mbyllur.

“Bazuar nga informacionet tona, po edhe në verifikimet që kryhen në terren nga EUELEX-i dhe grupi për verifikimin e kësaj veprimtarie, do të thotë nëntë zyra operative të policisë që kanë qenë duke vepruar, ato më nuk janë funksionale, janë të mbyllura dhe nuk janë në funksion”, bëri të ditur Sadriu, duke shtuar se zyrat e tjera janë çështje që shkojnë në mënyrë graduale konform planit të integrimit në atë pjesë.

Mbyllja e këtyre zyrave ka ardhur, pas marrëveshjes së arritur në Bruksel, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e raporteve në mes të dy vendeve.

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, vlerëson se shuarja e strukturave ilegale të Serbisë, do të jetë e vështirë. Ai konsideron se edhe nëse mbyllen zyrat e atyre strukturave, ato do të veprojnë në forma të tjera.

“Ata do të ndërrojnë vetëm mënyrën e veprimit, prej një sistemi si kanë vepruar në formë paralele ilegale, ata do ta kenë një sistem tjetër, sidomos ajo pjesa inteligjente. E, po ashtu edhe pjesa tjetër. Pra, do të veprojnë në një dualizëm të brendshëm edhe kwto çka duhet, kinse po integrohen edhe kjo pjesa tjetër që do të veprojë ilegalisht, mirëpo jo më një sistem çfarë ka qenë më zyra publike, po me një sistem më tepër të mbyllur edhe të observimit dhe funksionimit paralel”, vlerësoi Ibishi.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, e cila udhëheq ekipet teknike në bisedimet me Serbinë, deklaroi se po punohet në mbylljen e strukturave ilegale serbe në komunat veriore dhe më pas, në integrimin e tyre në organet e Kosovës.

I gjithë ky proces, është shprehur ajo, mund të përmbyllet deri më 30 shtator, nëse respektohen afatet.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG