Ndërlidhjet

BDI: Zgjedhjet nuk zgjidhin problemet


Bujar Osmani

Bujar Osmani

Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni nuk janë zgjidhje për krizën politike, por nëse VMRO-DPMNE dhe Lidhja Social-Demokrate vendosin për mbajtjen e tyre, atëherë kjo do të mbështetet edhe nga BDI-ja.

Kështu ka deklaruar zëdhënësi i kësaj partie, Bujar Osmani, duke komentuar propozimin e kryeministrit Nikolla Gruevski për zgjedhje të parakohshme më 13 tetor, si për zgjidhjen e krizës politike në vend.

“Nëse këtë çështje e shohim nga aspekti partiak, ne jemi të gatshëm sikur edhe nesër të ketë zgjedhje. Megjithatë, zgjedhjet nuk janë zgjidhje për problemet e qytetarëve dhe të shtetit”, ka deklaruar Osmani.

Zëdhënësi i BDI-së ka thënë se VMRO DPMNE dhe LSDM duhet të zbatojnë marrëveshjen e 1 marsit dhe të punojnë për zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë dhe përmbushjen e kritereve tjera të Kopenhagës, që të mos rrezikohet jo vetëm rekomandimi për fillimin e bisedimeve me BE-në, por edhe humbja e statusit të shtetit kandidat. (i.k.)

Lexoni edhe këtë.
XS
SM
MD
LG