Ndërlidhjet

Lista e përbashkët, keqpërdorim dhe demagogji e Beogradit


Fotografi nga arkivi

Fotografi nga arkivi

Liderët serbët të Kosovës qendrore, pjesëmarrës në institucionet e Kosovës, janë të ndarë në mendime lidhur me rëndësinë dhe rolin që mund ta ketë pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet lokale të nëntorit në Kosovë me një Listë të përbashkët.

Listën e përbashkët serbe e ka paralajmëruar Beogradi zyrtar, duke u bërë thirrje serbëve lokalë në Kosovë që të garojnë në zgjedhje përmes kësaj liste.

Petar Miletiq, aktualisht nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë së Pavarur Liberale, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se një Listë e përbashkët serbe në zgjedhjet lokale nuk ka shumë kuptim.

Sipas tij, nuk ka asnjë arsye që një gjë e tillë të ndodhë dhe se një listë e tillë është joreale të formohet.

“Në qoftë se në zgjedhjet, për shembull, për komunën e Leposaviqit do të paraqitej vetëm një listë, atëherë çfarë do të zgjedhin qytetarët dhe për kë do të vendosnin? Prandaj, unë nuk shoh asnjë arsye që të ngulfatet pluralizmi dhe vullneti i zgjedhësve. Le të paraqiten më shumë lista dhe kush i fiton zgjedhjet ai do ta formojë pushtetin”, vlerëson Miletiq.

Por, Rada Trajkoviq, deputete e Kuvendit të Kosovës nga Lista e përbashkët serbe, listë kjo që ishte formuar në zgjedhjet e kaluara, thotë për Radion Evropa e Lirë se serbët e Kosovës nuk kanë zgjidhje tjetër përveç Listës së përbashkët, për shkak se, sipas saj, kryeministri Thaçi në vazhdimësi po i ofron Partisë së Pavarur Liberale logjistikë, si një partnere e koalicionit qeverisës.

Trajkoviq thotë se kjo parti ka krijuar monopol në përfaqësimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

“Në anën tjetër, i kemi serbët që janë krejtësisht të shpartalluar, të cilët disa janë për, dhe disa kundër zgjedhjeve. Por, mendoj se për ne është tepër e rëndësishme që serbët të dalin në zgjedhje, ku logjistikën do ta jepte shteti i Serbisë, në kuptimin e mbështetjes financiare, në kuptimin e mbledhjes së njerëzve rreth një ideje. Por, edhe në kuptimin që ajo listë nuk do të jetë e vetmja”, shprehet Trajkoviq.

Por, cili do të jetë ndikimi i Beogradit mbi pjesëmarrësit në Listën e përbashkët dhe a dëshiron ai që ta mbajë kontrollin e plotë mbi serbët e Kosovës, duke i instrumentalizuar ata?

Petar Miletiq, konsideron se ideja e Beogradit për një bashkim të serbëve në një listë, më tepër ka të bëjë me demagogji se sa me qëllim të mirë.

Petar Miletiq

Petar Miletiq

“Mendoj se kemi të bëjmë me demagogji dhe kinse nën një mantel të unitetit po dëshirohet t’iu dërgohet njerëzve porosia që të dalin në numër sa më të madh në zgjedhje. Do të thotë, uniteti në këtë rast është si një trik i marketingut parazgjedhor dhe jo si një gjë thelbësore. Mendoj se kjo është çështja”, thekson Miletiq.

Por, deputetja Trajkoviq vlerëson se ndikimi i Beogradit mbi serbët e Kosovës do të jetë i natyrshëm, sepse sipas saj, këta të fundit nuk mund të mbijetojnë pa ndihmën e Beogradit.

Ajo, gjithashtu, shpreh mendimin se në qoftë se Beogradi do t’i keqpërdorë serbët e Kosovës, kjo do të jetë një e drejtë legjitime e tij.

“Keqpërdorimi është e drejtë legjitime. Ju po e shihni që Thaçi po i keqpërdorë liberalët. Pse, pra, do të ishte aq e tmerrshme nëse Beogradi i përdorë serbët? Kjo është diçka normale për mua”, thotë Trajkoviq.

Sipas saj, serbët e Kosovës janë para dy zgjidhjeve të këqija dhe ata duhet ta zgjedhin më të voglën, e që në këtë rast është Lista e përbashkët serbe.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG