Ndërlidhjet

LSDM refuzon propozimin për zgjedhje të parakohshme


Ilustrim
Ilustrim
Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë, parti në opozitë, ka refuzuar propozimin e kryeministrit Nikolla Gruevski për zgjedhje të parakohshme parlamentare më 13 tetor, si alternativë për dalje nga kriza politike, pas dështimit të punës së komisionit hetimor për zbardhjen e incidentit të 24 dhjetorit në Kuvend.

“VMRO-DPMNE-ja, pa asnjë arsye, krijon lidhshmëri mes raportit të komisionit dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Formimi i komisionit ad-hok është obligim i marrëveshjes së marsit mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së. Formimi i këtij komisioni nuk është përgjegjësi vetëm e njërës apo partisë tjetër politike".

"Ajo për të cilën jemi marrë vesh, ajo që nga ne e presin qytetarët dhe ajo që nga ne e pret BE-ja, është raporti i komisionit, i cili do të jetë i nënshkruar, pranuar dhe zbatuar nga të dyja partitë politike”, ka deklaruar zëvendëskryetarja e LSDM-së, Radmilla Sheqerinska, duke paralajmëruar se opozita, me të gjitha format e mundshme, do të pengojë qëllimin e Gruevskit për shpallje të zgjedhjeve të parakohshme, që, sipas saj, kanë për qëllim “ikjen e tij nga përgjegjësia për turpin që ka ndodhur më 24 dhjetor, kur deputetët e opozitës me dhunë u nxorën nga salla e Kuvendit”.

Veç kësaj, Sheqerinska ka thënë se ka edhe arsye të tjera që kanë shtyrë Gruevskin të propozojë zgjedhje të parakohshme.

“Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë vetëm se alibi për kritikat që priten në raportin e Komisionit Evropian, për shkak të gjyqësisë partiake në Maqedoni, heshtjes së mediumeve, korrupsionit dhe keqpërdorimit të parave të buxhetit për qëllime partiake”, ka deklaruar zëvendëskryetarja e LSDM-së.
XS
SM
MD
LG