Ndërlidhjet

Beogradi është duke zvarritur zbatimin e Marrëveshjes së 19 prillit, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Në prag të takimit të së martës në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë para kabinetit të tij qeveritar se Prishtina po i zbaton obligimet e marra me marrëveshje, por të njëjtën nuk po e bën edhe Beogradi.

Përveç çështjes së zgjedhjeve lokale për të cilat Beogradi pritet të luajë një rol aktiv në bindjen e komunitetit serb në komunat veriore që të merr pjesë, në takimin e të martës në Bruksel pritet të diskutohen edhe çështjet e mbetura në negociatat rreth çështjeve si energjia, telekomunikacioni dhe zbatimi i marrëveshjeve tashmë të arritura.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Prishtina i ka kryer obligimet e veta, por këtë nuk e ka bërë edhe Beogradi.

“E them shumë hapur se Kosova i ka përmbyllur obligimet e veta, i ka kryer me kohë në afat rekord dhe sipas standardeve evropiane dhe marrëveshjes që kemi arritur në Bruksel. Edhe qëndrimi i Bashkimit Evropian, i Baroneshës Ashton ka qenë i qartë, kjo zvarritje dhe vonesë ka ndodhur nga neglizhenca dhe hezitimi i Beogradit, besoj që të jenë tejkaluar këto problematika që ka ngritur Beogradi pas marrëveshjes së 19 prillit. Ne do të respektojmë edhe nesër si gjithmonë marrëveshjen e 19 prillit, Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Një nga termat që Beogradi është i interesuar të diskutojë në takimin e radhës në Bruksel është ajo e logos së shtetit të Kosovës në materialin zgjedhor.

Autoritetet serbe e kanë kundërshtuar praninë e çfarëdo simboli në zgjedhje që do të nënkuptonte shtetësinë e Kosovës.

Mirëpo, kryeministri Thaçi u është kundërpërgjigjur, duke thënë se çështja e simboleve nuk mund të jetë objekt diskutimi mes Prishtinës e Beogradit pasi që vendimin për pamjet e fletëvotimeve, sipas tij, do ta marrë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sa i përket zhurmës që është bërë për logo, Qeveria e Kosovës dhe delegacioni i Kosovës nuk e ka ndonjë mandat sa i përket kësaj çështje. Kjo çështje është e rregulluar me Kushtetutë dhe ligjet e Kosovës dhe është autoritet i plotë i Komisionit Qendror Zgjedhor, ku janë të përfaqësuara të gjitha partitë politike. Kjo çështje nuk shtrohet së diskutuari në Bruksel dhe nuk është as në autoritetin e Qeverisë së Kosovës që të merr ndonjë vendim”, ka thënë Thaçi.

Në anën tjetër Beogradi zyrtar insiston që zgjedhjet të jenë neutrale në raport me statusin e Kosovës.

Marko Gjuriq, këshilltar i presidentit të Serbisë, u ka thënë medieve në Beograd se neutraliteti i zgjedhjeve në raport me statusin e Kosovës është një nga kushtet e pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje.

“Që zgjedhjet në Kosovë të organizohen dhe mbahen ato duhet të jenë neutrale në raport me statusin ngase vetëm përmes zgjedhjeve neutrale mund të dalin komuna neutrale të cilat do të mund të përmbushnin kërkesat dhe interesat serbe në Kosovë”, ka thanë Gjuriq.

Pavarësinë e Kosovës ai e ka cilësuar si të rrejshme kurse ka ftuar serbët lokale që të marrin pjesë në zgjedhje duke besuar se neutraliteti do të garantohet dhe pranohet edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Takimi i të martës në Bruksel ndërmjet kryeministrave Thaçi e Daçiq pritet të ndërmjetësohet nga shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.

Pas këtij takimi, kryeministri i Kosovës ka thënë se do të udhëtoj për në Nju Jork për të marrë pjesë në sesionin e rregullt tre mujor që zhvillohet për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG