Ndërlidhjet

Edhe pse parashihet që në zgjedhjet e 3 nëntorit në Kosovë të marrin pjesë shumë subjekte politike, iniciativa qytetare dhe kandidatë të pavarur, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve bëjnë të ditur se deri më tash janë certifikuar tri subjekte politike.

Udhëheqësja e Zyrës për Regjistrim e Partive Politike dhe Certifikim në këtë institucion, Miradije Mavriqi, theksoi për Radion Evropa e Lirë së janë duke u pranuar dokumente përkatëse të subjekteve politike për regjistrim dhe certifikim.

“Zyra ka proceduar dokumentet e tri subjekteve, gjegjësisht një iniciative qytetare dhe dy kandidatëve të pavarur për të cilët është rekomanduar nga zyra jonë, që të certifikohen dhe e miratoi KQZ-ja, do të thotë këto subjekte janë të certifikuara. Ndërsa, në zyrën tonë janë duke u marrë dokumentacione të nevojshme për këtë proces. Jemi duke pritur këto ditë aplikime dhe tash kjo çështje tashmë është aktive”, tha Mavriqi.

Të gjitha subjektet politike të cilat dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhjet lokale më 3 nëntor, afati për aplikim dhe për certifikim është jo më vonë se gjashtëdhjetë ditë para ditës së zgjedhjeve, gjegjësisht gjer më 04 shtator 2013.

Sipas Ligjit për zgjedhje, secili aplikim për certifikim përfshin numrin e nevojshëm të nënshkrimeve përveç nëse subjekti politik (partia politike, koalicioni, iniciativa qytetare apo kandidati i pavarur) ka marrë së paku një ulëse në zgjedhjet e fundit të llojit të njëjtë, nuk kërkohet të dorëzojë nënshkrimet në mbështetje të aplikimit të saj për certifikim.

Ndryshe, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kanë kërkuar që Zyra për Regjistrim e Partive Politike dhe Certifikim të ketë një kujdes të shtuar kur bëhet fjalë për aplikimet e subjekteve të mundshme politike për regjistrim.

Anëtari i komisionit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Florian Dushi, ka kërkuar nga Zyra për Regjistrim e Partive Politike që të gjitha dokumentet të verifikohen dhe protokollohen, dhe më pas të prezantohen para anëtareve të komisionit. Në të kundërtën, sipas tij, ato dokumente do të jenë pavlerë.

“I lus që rekomandimet dhe të gjitha dokumentet e tjera të vijnë të nënshkruara dhe të protokolluara pranë KQZ-së. Përndryshe, këto dokumente nuk kanë kuptim në asnjë formë nëse vijnë si letra të printuara dhe përveç emrave nuk kanë diçka tjetër. Në fakt, kjo është kërkesë e imja edhe e mëhershme, që secili dokument që i prezantohet KQZ-së të jetë i nënshkruar”, tha Dushi.

Anëtari tjetër i KQZ-së Fadil Maloku nga Aleanca Kosova e Re, ka kërkuar nga drejtuesja e zyrës për regjistrimin e subjekteve politike që të respektohet ligji në mënyrë që, siç ka aluduar ai, në të kaluarën subjektet e caktuara nuk kanë përmbushur të gjitha kriteret për certifikim.

“Të respektohet Ligji pikë për pikë, nen për nen, për shkak se jam shumë i bindur se në të kaluarën, sikur të zbatohej kjo metodologji e punës me siguri që shumë parti që janë në koalicion e në qeveri, e që janë jashtë qeverisë nuk kishin mundur të regjistrohen në Zyrën për Regjistrimin e subjekteve politike”, tha Maloku.

Nga ana tjetër, Betim Gjoshi, anëtar i Grupit të KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës, ka kundërshtuar zotin Maloku duke thënë se që nga viti 2007 procedurat për regjistrim dhe certifikim të subjekteve nuk kanë ndryshuar.

“Praktikat e njëjta për regjistrimin e subjekteve politike janë përdorur edhe në vitet e kaluara, bile unë po mendoj që është dobësuar. Edhe përveç nënshkrimit po kërkoj që për secilin subjekt të jepen sqarime, pra nëse flasim për subjektin A, me dhënë sqarime, jo me thënë se është në përputhje me rregulloren".

"Ne nuk e shohim dokumentacionin, por me thënë se ky subjekt i ka sjellë kaq nënshkrime, i ka kryer të gjitha obligimet ka paguar kaq para. Është mirë të na bindni ne që jeni duke e kryer punën ashtu siç duhet”, tha Gjoshi.

Sido që të jetë, edhe takimi i sotëm i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka filluar me polemika të shumta mes dy anëtarëve të KQZ-së, Fadil Maloku nga Aleanca Kosova e Re dhe anëtarit të ri të KQZ-së, Adnan Rrustemi, nga Lëvizja Vetëvendosje, me kryetaren Valdete Daka.

Anëtari i këtij institucioni nga radhët e Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, kërkoi nga Daka që t`i kërkojë falje publike ish anëtarit Alban Krasniqi pasi atij në mbledhjeve e fundit i ishte kërkuar nga zonja Daka që ta lëshojë takimin me arsyetimin që është i shkarkuar nga presidentja.

Kurse Fadil Maloku nga AKR-ja kërkoi që kryesuesja e KQZ-së Valdete Daka të tregojë se me urdhër të kujt ajo ka shkuar në Bruksel më 5 gusht ku është diskutuar çështja e votimit jashtë Kosovës.


Më poshtë mund t'i dëgjoni polemikat e disa anëtareve të Komisionit Qendror Zgjedhjeve me kryesuesen e komisionit Valdete Daka.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG