Ndërlidhjet

Të hënën përfundimisht kanë vënë firmën e tyre anëtarët e komisionit hetimor, që kishte për detyrë zbardhjen e ngjarjeve të 24 dhjetorit duke miratuar kështu raportin e përgatitur nga kreu i Komisionit Borçe Davitkovski.

“Me kënaqësi, dua të bëj të ditur se të gjithë ne, unanimisht, e nënshkruam raportin dhe nënshkruam marrëveshje për zbatimin e tij, gjegjësisht Kuvendi t’i implementojë 11 rekomandimet të cilat Komisioni i solli me konsensus. Kuvendi do të duhet me konsensus të vendosë për rekomandimet dhe duhet t’i implementojë ato".

"Dua të theksoj se liderët politikë i tejkaluan interesat e ngushta partiake dhe bënë një kompromis të domosdoshëm për qytetarët dhe perpsektivën euroatlantike të vendit. Sa i përket kualifikimeve juridike që i përmban raporti, unë si ekspert juridik, absolutisht i përkrah ato”, është shprehur Davitkovski.

Gjersa Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE ka deklaruar se vënia e firmës së tij në këtë raport është bërë në emër të interesave shtetërore dhe se ai nuk pajtohet me kualifikimet juridike të apostrofuara në të.

“Të punosh bashkarish me LSDM-në në një raport të këtillë është njëlloj sikur të lozësh në shitore lodrash. Kualifikimet juridike në këtë raport s`janë asgjë veçse një faculetë prej letre, me të cilën LSDM-ja do ta udhëheqë vallen, duke e festuar fitoren për këtë raport”, ka deklaruar Dimovski.

Renata Deskovska, nga LSDM është shprehur e kënaqur nga arritja e ujdisë.

Për ne raporti pasqyron të vërtetën, përmes kualifikimeve juridike në 11 rekomandimet dhe 7 konkluzat dëshmohet qartë se për çfarë shkelje të rëndë bëhet fjalë sa i përket ngjarjeve të cilat ndodhën më 24 dhjetor në parlamentin e Maqedonisë”, tha ajo.

Ndërkohë, analistët politikë vlerësojnë se arritja e marrëveshjes mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së për raportin ka gjasat e vogla të ndihmojë në zhbllokimin e dialogut politik, ndonëse mundësitë ekzistojnë.

Analisti politik maqedonas Zravko Saveski konsideron se pavarësisht faktit se deklaratat që erdhën gjatë vikendit nga të dyja palët ishin shumë konfrontuese, megjithatë mund të jemi optimist sa i përket zgjidhjes së krizës politike në Maqedoni.

Mund të duket paradoksale, por ngjarjet e fundjavës mund t’i zhbllokojnë punët dhe t’i lëvizin ato nga pika e vdekur, pavarësisht deklaratave konfrontuese të të dyja palëve. Kështu që, mund të jemi deri diku optimistë se mund të zgjidhet kriza politike e shkaktuar nga ngjarjet e 24 dhjetorit".

"Për mua ajo që është për t`u theksuar është fakti se i gjithë ngërçi u krijua sa i përket definimit të pjesës se është shkelur ose jo kushtetuta me largimin e gazetarëve nga salla e parlamentit, ndërkohë që çdokush që ka parë pamjet e asaj dite mund të konstatojë se kjo ka ndodhur”, tha Saveski .

Ai, deklaratat e kryeministrit Nikolla Gruevski gjatë fundjavës, fillimisht se është për zgjedhje të parakohshme si formë për të zgjidhur krizën politike dhe më pas se do të nënshkruajë çfarëdo raporti me të cilin do të jetë e kënaqur opozita maqedonase, gjegjësisht LSDM-ja, rreth ndriçimit të ngjarjeve të 24 dhjetorit, i sheh si “mundësi për të krijuar alibi para përkrahësve të VMRO DPMNE-së, se ja po nënshkruaj diçka edhe në kundërshtim me interesat tona por në interes të shtetit”.

Por Albert Musliu, analist politik, thotë se nënshkrimi i marrëveshjes nuk do të thotë se pas kësaj dialogu politik në Maqedoni do të përmirësohet shumë, ngase lidërët politik edhe kësaj radhe dëshmuan se në plan të parë kanë rejtingun e partive politike që përfaqësojnë dhe jo interesat shtetërore.

“Më duhet të theksoj se me nënshkrimin e raportit në fjalë ne kemi përmbushur një kërkesë të faktorit ndërkombëtar, por më duhet të theksoj se këtë obligim e kemi përmbushur vetëm në formë formale, ndërkohë që ata e panë se si shkoi i tërë procesi, i cili u përcoll me një ngërrç edhe më të madh politik për të përfunduar sot me nënshkrimin e raportit".

"Gjithashtu, më duhet të theksoj se deklarate e kryeministrit Nikolla Gruevski se konkluzat nuk janë të pranueshme për të më dhënë të drejtën se nuk është tejkaluar ngërrçi politik por është thelluar edhe më shumë”, shprehet Musliu.

Ndryshe të premten e kaluar ishte afati i fundit për nënshkrimin e raportit për ndriçimin e ngjarjeve të 24 dhjetorit kur deputetet e opozitës u nxorën me forcë nga parlamenti pasi tentuan të bllokojnë punën e parlamentit gjatë miratimit të buxhetit.

Mosmarrëveshjet e anëtarëve të komisionit kishin të bënin kryesisht me a është shkelur ose jo kushtetuta pas çka kryeministri Gruevski kërkoi zgjedhje të parakohshme parlamentare, kurse opozita maqedonase – Lidhja Social-demokrate e Maqedonisë dhe partneri shqiptar në qeveri Bashkimi Demokratik për Integrim, e refuzuan një gjë të tillë.

Të parët duke kërkuar ndryshimin e kodit zgjedhorë kurse të dytët duke theksuar se Maqedonia ka prioritet procesin e integrimit dhe zgjedhjet do ta ngadalësonin rrugëtimin e Maqedonisë drejt BE dhe NATO-s.

Nënshkrimi i konkluzioneve për ngjarjet e “24 dhjetorit”, është kusht nga Komisioni Evropian për vlerësimin pozitiv të Maqedonisë sa i përket Raportit të Progresit
XS
SM
MD
LG