Ndërlidhjet

OKB do të kontaktojë SHBA-në për spiunim


Ilustrim

Ilustrim

Kombet e Bashkuara kanë thënë se do të kontaktojnë Shtetet e Bashkuara, në lidhje me raportet se Agjencia për Siguri Kombëtare e SHBA-së ka përgjuar selinë e tyre në Nju Jork dhe kanë paralajmëruar se vendet duhet të respektojnë pacenueshmërinë e trupit diplomatik të botës.

Duke cituar dokumentet sekrete që kanë rrjedhur nga ish-kontraktori i CIA-s, Edward Snowden, gazeta gjermane Der Spiegel ka shkruar të dielën se SHBA-ja ka arritur të ketë qasje në sistemin e brendshëm të video-konferencave të OKB-së, më 2012.

“Jemi në dijeni për raportet dhe do të jemi në kontakt me autoritetet relevante për këtë çështje”, ka deklaruar zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq.

Ai po ashtu ka thënë se ligji ndërkombëtar mbron funksionet e Kombeve të Bashkuara.

“Andaj, shtetet anëtare pritet të veprojnë në përputhje me të, për të mbrojtur pacenueshmërinë e misioneve diplomatike”, ka thënë Haq.

Der Spiegel po ashtu ka thënë se Bashkimi Evropian dhe Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore kanë qenë në shënjestër të inteligjencës amerikane.
XS
SM
MD
LG