Ndërlidhjet

Thaçi e Daçiq takohen sot në Bruksel


Foto arkivi
Foto arkivi
Sot në Bruksel mbahet takimi i radhës midis kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Kabineti i baroneshës Ashton ka thënë se kryeministrat do të diskutojnë për përparimin e bërë në zbatimin e marrëveshjes së prillit, bazuar në planin e miratuar nga të dyja palët.

Në prag të takimit të sotëm, kryeministri Thaçi ka thënë se Prishtina po zbaton obligimet e marra me marrëveshje, por të njëjtën nuk po e bën edhe Beogradi.

Në anën tjetër, disa media serbe kanë raportuar se tema kryesore dhe mbase e vetme e bisedimeve do të jetë pamja e fletëvotimeve për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë.

Beogradi ka thënë se për të është e papranueshme që në fletëvotime të ketë shenja të shtetësisë së Kosovës.

“Të dy zyrtarët do të bëjnë përpjekje për pamjen e fletëvotimeve, nga të cilat do të varet shumë se a do t’i thërrasë Qeveria e Serbisë serbët e Kosovës që të dalin në këto zgjedhje”, ka shkruar B92.

Rrethi i ri do të fillojë me bisedime ndaras të baroneshës Ashton me secilin kryeministër, pas të cilave do të nisë edhe takimi trepalësh.

Kryeministri Thaçi është shprehur optimist se në këtë takim do të arrihet edhe marrëveshja për telekomunikacionin dhe energjinë.
XS
SM
MD
LG