Ndërlidhjet

logo-print

Takim konstruktiv, pa marrëveshje

  • RFE /RL

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka vlerësuar se takimi i së martës me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, ishte “korrekt dhe konstruktiv dhe me diskutime substanciale dhe konkrete”.

I pyetur nga gazetarët lidhur me çështjen e logove të fletëvotimeve për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë, zoti Thaçi ka theksuar: “Sa i përket logos, institucionet nuk do të ndërhyjë në punën e Komisionit Qendror Zgjedhor. KQZ e ka mandatin dhe fuqinë e vet vendimmarrëse.

Të gjithë janë të obliguar që të respektojnë vendimet e KQZ-së”, ka thënë kryeministri Thaçi

Shefi i qeverisë kosovare gjithashtu ka thënë se është diskutuar “jashtëzakonisht shumë për organizimin sa më të mirë të zgjedhjeve në Republikën e Kosovës, më 3 nëntor” dhe gjithmonë sipas tij, “ekziston përkushtimi për pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve të të gjitha komuniteteve të Kosovës”.

Këto zgjedhje i ka quajtur temën më të rëndësishme të takimit, kryeministri serb, Ivica Daçiq.

Ai ka thënë se në takim e ka konfirmuar atë që Beogradi vazhdon të besoj se pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje është shumë e rëndësishme.

Daçiq ka thënë se logo e fletëvotimeve do të jetë temë e bisedimeve gjatë ditëve në vijim në mes të ekipeve teknike të dialogut, por ai paralajmëroi se kjo çështje duhet të zgjidhet sa më shpejtë marrë parasysh se koha po ecën.

“Bashkimi Evropian do të bisedojë me përfaqësuesit e Prishtinës detajet teknike sa i përket materialit zgjedhor”, ka thënë kryeministri Daçiq.

Të dy kryeministrat kanë thënë se gjatë takimit është folur edhe për telekomin dhe energjinë.

Kryeministri kosovar thotë që gjatë ditëve në vijim do përfundojnë çështjet teknike që çojnë drejt arritjes së marrëveshjes.

“Kjo çështje definitivisht është përmbyllur dhe pritet të zgjidhet përfundimisht në ditët e ardhshme…po mendoj gjate ditëve te ardhshme priten edhe disa çështje teknike te zgjidhen”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Ndërkaq kryeministri serb ka thënë se gjatë takimit ka pasur përafrim të qëndrimeve të palëve.

“Ne i kemi përafruar edhe pak qëndrimet tona, mirëpo ky takim nuk ka arritur ndonjë rezultat epokal për telekom dhe energji, por takimi ka arritur që të bëj edhe një hap para sa i përket implementimit të marrëveshjes së Brukselit”, ka thënë Daçiq.

Hashim Thaçi është shprehur se megjithatë “sa i përket implementimit të marrëveshjes me Serbinë “nuk ka kthim prapa” dhe deklaroi se nuk është “fiksuar data për takimin e ardhshëm, por ai do të mbahet në të ardhmen jo të largët”.

Takimi i sw martws,Thaçi – Daçiq një Bruksel, është mbajtur me ndërmjetësimin e përfaqësues së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton.

Zonja Ashton ka deklaruar se “të dy kryeministrat e kanë përsëritur përkushtimin e tyre për zgjedhje të suksesshme me pjesëmarrje sa më të gjerë të mundshme dhe kanë konfirmuar se ata do të vazhdojnë përgatitjet e tyre intensive për proces të qetë zgjedhor”.

Në njoftimin për media, ajo tha se takimi i ardhshëm do të mbahet më 8 shtator.(a.h. & f.b.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG