Ndërlidhjet

SHBA kërkon përgjegjësi për sulmin kimik

  • RFE /RL

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se ata që kanë përdorur armë kimike në Siri duhet të mbahen përgjegjës.

Sekretari i Shtetit, John Kerry, ka thënë se në Siri janë përdorur armë kimike dhe ka akuzuar regjimin e Bashar al-Assadit për shkatërrimin e provave.

Ajo çfarë kemi parë në Siri javën e kaluar duhet të trondisë ndërgjegjen e botës. Ajo sfidon çdo kod të moralit. Më lejoni të jem i qartë: masakrimi i rrëmujshëm i civilëve, vrasja e grave, fëmijëve dhe e kalimtarëve të pafajshëm nga armët kimike është turp moral. Me çdo standard, kjo është e pafalshme. Dhe, pavarësisht justifikimeve që disa kanë prodhuar, kjo është e pamohueshme”, ka deklaruar Kerry.

Ai ka bërë të ditur se presidenti Barack Obama është duke u konsultuar me aleatët dhe ligjvënësit amerikanë dhe do të marrë vendim për mënyrën se si t’i përgjigjet sulmit të 21 gushtit.

“Mos dyshoni! Presidenti Obama beson se duhet të mbahen përgjegjës ata që përdorin armët më të tmerrshme në botë kundër njerëzve më të rrezikuar të botës”, ka thënë Kerry.

Më herët, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se çdo ndërhyrje pa rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të shkelte ligjin ndërkombëtar.

Rusia, aleate dhe furnizuese kryesore me armë e regjimit të Assadit, ka thënë se rebelët mund të jenë prapa sulmit.

Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, ka parashikuar se Rusia dhe Kina mund t’i vënë veto votimit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të lejuar aksionin e mundshëm ushtarak kundër Sirisë.

Por, sekretari i Jashtëm britanik, William Hague, ka thënë se një reagim i tillë do të ishte i mundur edhe pa leje të Këshillit të Sigurimit.

Assad i ka thënë një gazete ruse se çdo veprim ushtarak kundër vendit të tij do të dështojë. Ai po ashtu ka thënë se akuzat se trupat e tij kanë përdorur armë kimike “janë të motivuara politikisht”.

Komentet janë bërë derisa ekspertët e OKB-së kanë vizituar lokacionin pranë Damaskut, ku dyshohet se ka ndodhur sulmi kimik. Një makinë e tyre është sulmuar nga snajperistë të paidentifikuar, por nuk ka pasur raporte për të lënduar.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, ka thënë se pavarësisht “rrethanave shumë të rrezikshme”, inspektorët ndërkombëtarë kanë bërë punën e tyre.

“Kanë vizituar dy spitale; kanë intervistuar dëshmitarët, të mbijetuarit dhe mjekët. Po ashtu kanë mbledhur disa mostra”, ka thënë Ban.

Organizata humanitare “Mjekët pa Kufij” thotë se në sulmin e dyshuar kimik të 21 gushtit janë vrarë më shumë se 300 njerëz.(v.tela)
XS
SM
MD
LG