Ndërlidhjet

Jones: UNMIK dështoi në hetimin e vrasjeve


Sian Jones
Sian Jones
Ilir Ikonomi, "Zëri i Amerikës"

Organizata prestigjoze e të drejtave të njeriut Amnesty International, thotë se Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, dështoi në hetimin e rasteve të rrëmbimit dhe vrasjeve të serbëve të Kosovës pas konfliktit të viteve 1998-1999. Në një raport të publikuar sot, organizata thotë se ky dështim e ka nxitur më tej klimën e pandëshkueshmërisë që mbizotëron sot në Kosovë.

Zëri i Amerikës bisedoi me Dr. Sian Jones, eksperte për Kosovën pranë organizatës Amnesty International. Ajo i bëri komentet nga studioja e Zërit të Amerikës në Londër.

Zëri i Amerikës: Doktoreshë Jones, kur ju flisni për rrëmbime dhe vrasje të serbëve të Kosovës pas konfliktit, për sa raste bëhet fjalë afërsisht?

Dr. Sian Jones: Po të flasim për numrin e përgjithshëm, kemi të bëjmë me 500 deri në 800 raste, por ajo për të cilën e kemi fjalën në raport është se po shqyrtohet një numër specifik rastesh nga komisioni këshillues i UNMIK-ut për të drejtat e njeriut dhe deri tani 150 raste janë gjetur të pranueshëm nga ky komision. Që nga fillimi i këtij viti, ata kanë shqyrtuar 20 prej këtyre rasteve. Në 19 prej tyre ata kanë gjetur se UNMIKU ka shkelur të drejtat e të afërmve të personave të rrëmbyer, duke mos bërë hetime të mjaftueshme.

Zëri i Amerikës: Për mendimin tuaj, përse UNMIK-u është treguar i ngadaltë ose ka dështuar në hetimin e këtyre rasteve; për mungesë fondesh apo për mungesë vullneti politik?

Dr. Sian Jones: Mendoj se është e vështirë të përcaktosh arsyen e saktë. Vetë UNMIK-u ka thënë se e ka patur të vështirë vendosjen e sundimit të ligjit në Kosovë dhe se kishte probleme me ngritjen e një force policore, por UNMIK-u u dërgua në Kosovë për të mbrojtur të drejtat e njeriut. Mirëpo, si në rastet e serbëve të Kosovës ashtu edhe në rastet e personave të zhdukur shqiptarë, ne gjejmë shembuj shumë të ngjashëm. Njerëzit zakonisht i kanë raportuar të afërmit e zhdukur së pari te KFOR-i dhe pastaj ky informacion i kaluar Kryqit të Kuq, të cilët kanë filluar kërkimet dhe në secilin prej rasteve që ne kemi shqyrtuar me hollësi, këto raporte janë bërë para nëntorit 1999, kur UNMIK-u sapo kishte filluar ngritjen e forcës policore dhe një njësi që merrej posaçërisht me çështjen e personave të zhdukur e pastaj ngritën një njësi për krimet e rënda. Pra, ne mendojmë se këto nuk ishin hetime kompetente.

Zëri i Amerikës: Kur flasim për rastet e rrëmbimeve apo të vrasjeve kundër civilëve serbë, a është këtu fjala për hakmarrje ndaj dhunës së kryer nga ushtria dhe forcat paraushtarake serbe kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë konfliktit?

Dr. Sian Jones: Po. Mendoj se mund t'i quajmë shkelje të të drejtave të njeriut në formën e hakmarrjes. Sigurisht që shkelje u bënë nga të dyja palët dhe ne e dimë se pati një numër jashtëzkonisht të madh shqiptarësh të Kosovës të zhdukur nga forcat serbe dhe trupat e tyre, të paktën gjysma e tyre ende nuk janë gjetur. Po. Mund ta quajmë hakmarrje por duket se ka qenë e organizuar në mënyrë sistematike dhe ka qenë e përhapur në të gjithë Kosovën. Megjithëse në pjesën më të madhe ka ndodhur pas konfliktit të armatosur, ne do ta përshkruanim atë si krim kundër njerëzimit dhe prandaj kërkojmë që të hetohet.

Zëri i Amerikës: E kuptoj se krimi është krim, por në Kosovë ekziston një perceptim se krimet e kryera nga serbët gjatë konfliktit nuk janë hetuar mjaftueshëm dhe deri tani në Kosovë ka 1800 raste të personave fati i të cilëve ende nuk dihet. Cili është komenti juaj?

Dr. Sian Jones: Natyrisht, ne kemi punuar me disa nga të afërmit e tyre, sidomos me një numër familjesh nga Gjakova dhe kemi bërë trysni për zgjidhjen e rasteve të tyre, që këto të hetohen plotësisht nga EULEX-i në bashkëpunim me autoritetet serbe. Pra, siç e thashë më parë ne kemi bërë trysni pas trysnie që UNMIK-u t'i zgjidhte këto raste. Kur ata e ndalën punë në vitin 2008, përgjegjësitë i kaluan EULEX-it dhe në fakt nga EULEX-i ne kemi informacione se është bërë përparim lidhur me këto raste.

Zëri i Amerikës: Çfarë konkretisht kërkoni ju tani nga EULEX-i?

Dr. Sian Jones: Ne kërkojmë që EULEX-i t'i vazhdojë hetimet. Në fakt lidhur me disa raste ne e dimë se ata i kanë shqyrtuar provat. Në një rast ata kanë gjetur se është e pamundur që çështja t'i jepet prokurorisë, sepse kuptohet, tani pas 14 vjetësh provat janë tepër të vështira për t'u gjetur. Por në një rast tjetër ata duket se kanë qenë në gjendje t'ja kalojnë çështjen prokurorisë. Megjithatë, ajo që na shqetëson më shumë është fakti që UNMIK-u nuk e pranon në një farë mënyre përgjegjësinë për hetimin e rasteve të shkeljeve mes viteve 1999 dhe 2000. Komisioni këshillues për të drejtat e njeriut ka rekomanduar që të afërmit e personave të zhdukur të kompensohen në një formë ose një tjetër për këtë dështim të UNMIK-ut.

Ky material fillimisht u publikua në VOA.
XS
SM
MD
LG