Ndërlidhjet

Në raportin e publikuar ditën e martë, Amnesty International ka kritikuar misionin e UNMIK-ut në Kosovë për mos sukses në hetimet për zbardhjen e fatit të civilëve në Kosovë, kryesisht atyre serb, të cilët ende konsiderohen si të pagjetur.

Por, zyrtarët e UNMIK-ut e hedhin përgjegjësinë te misioni EULEX, ndërkohë që shoqatat e familjarëve të të pagjeturve, janë të revoltuar që përgjegjësia hidhet nga njëra adresë te tjetra.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Olivier Salgado, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se shefi i këtij misioni, Farid Zarif, i është përgjigjur me kohë dhe pozitivisht Komisionit për të drejta të njeriut..

“Ai ka shpjeguar se ngjarjet kanë ndodhur nën qeverisjen e përkohshme të Kosovës. UNMIK-u më nuk ka pushtet ekzekutiv mbi institucionet dhe resurset e Kosovës e as mbi buxhetin e konsoliduar të Kosovës. Do të thotë, UNMIK-u nuk është më në pozicion që t’i respektoj rekomandimet e Komisionit”, ka thënë Salgado.

Ai ka shtuar se shefi i UNMIK-ut i ka bërë thirrje misionit EULEX që të ndërmarrë të gjitha hapat e mundshëm, në mënyrë që të sigurohet vazhdimi i hetimeve dhe autorët t’i sjellë para drejtësisë.

Misioni EULEX, i cili e ka trashëguar misionin e UNMIK-ut, që nga fillimi i punës ka ndërmarrë 380 operacione në terren. Deri më tash, familjeve u janë kthyer mbetjet mortore të 334 personave, prej të cilëve 255 kanë qenë persona të zhdukur.

Megjithatë, ende mbeten 1 mijë e 754 persona, fati i të cilëve nuk është zbardhur.

Haki Kasumi, kryetar i asociacioneve të familjarëve të personave të pagjetur në Kosovë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se problemi i të pagjeturve është pasojë e politikës së keqe dhe sipas tij, tashmë ka kohë që ekziston tendenca e politizimit të kësaj çështjeje.

Sipas tij, qeveritë e të dyja vendeve, Kosovës dhe Serbisë, pas përfundimit të luftës është dashur që t’i sigurojnë informacionet për familjarët, lidhur me fatin e personave të zhdukur.

Por, sipas tij, në Kosovë, përgjegjësitë në institucione, lidhur me fatin e të pagjeturve, i kanë pasur ndërkombëtarët.

“Përgjegjësitë shtetërore, ishin dhe janë, për fat të keq edhe sot e kësaj dite, në duart e institucioneve të ndryshme ndërkombëtare, me punën e të cilëve, ne si familjarë të goditur, nuk jemi të kënaqur. Në njëfarë mënyre, përgjegjësia reale është te ata që e kanë pushtetin dhe që kanë marrë përgjegjësinë që ta kryejnë këtë punë, e cila pret zgjidhje”, tha Kasumi.

Milorad Trifunoviq, nga Shoqata e serbëve të zhdukur në Kosovë, duke folur për Radion Evropa e Lirë ka ngritur pikëpyetjen se pse faji për përgjegjësinë lidhur me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur hidhet nga njëra anë te tjera, ndërkohë që tash e 14 vjet ky fat nuk është zbardhur.

"Jemi para dilemës që bashkësia ndërkombëtare nuk ka ndonjë interes ose dëshiron që ta fshehë nga ne atë që ka ndodhur. Nuk e di pse e dëshiron këtë, nuk i di qëllimet. Por, mendoj se ata po e mbrojnë dikë në kreun e strukturës politike në Kosovë. Ne do të bëjmë gjithçka është e mundur për të zbardhur fatin edhe të zhdukurit të fundi, por ne jemi të pafuqishëm".

"Problemi më i madh është gjetja e lokalitetit ku gjenden ata njerëz. Pastaj, dëshmitarët dhe mbrojtja e tyre. Mbrojtja e dëshmitarëve është problemi më i madh në këto hapësira. EULEX-i vetëm se e ka vazhduar atë që ka bërë UNMIK-u, por më duket se me intensitet shumë më të vogël se sa është punuar më parë“, ka thënë Trifunoviq.

Behxhet Shala, drejtues i këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Kosova asnjëherë nuk është trajtuar nga aspekti i shtetit ku duhet të funksionoj ligji, nga aspekti ku ata të cilët janë dëmtuar duhet të shpaguhen, por thjeshtë është trajtuar si një projekt politik.

Sipas tij, që në fillim ka qenë e paraparë që të ketë bisedime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për këtë arsye edhe nuk ka pasur hetime serioze as për zbardhjen e personave të pagjetur e as për thirrjen në përgjegjësi të atyre që janë përgjegjës, qoftë për zhdukjen e personave apo edhe për krime të tjera të luftës.

“Kosova është vend tipik, ku për shkak të një oportuniteti politik është dëmtuar drejtësia dhe janë dëmtuar viktimat. Në anën tjetër edhe në Serbi edhe në Kosovë, në pushtet ka njerëz, të cilët mund të jenë përgjegjës për personat që janë të zhdukur, por edhe për krime të tjera. Prandaj edhe ndërkombëtarët nuk kanë dashur që t’i hetojnë, për shkak se nuk kanë dashur ta ndezin atë në të cilën kanë investuar”, u shpreh Shala.

Moszbardhjen e fatit të personave të pagjetur dhe hedhjen e fajit lidhur me këtë çështje nga njëra në tjetrën adresë, Shala e ka quajtur lojë të pandershme me viktimat.

"Kosova është një projekt puro politik, i cili e dëmton drejtësinë, e dëmton ligjin dhe për shkak të këtij projekti politik dhe për këtë arsye as EULEX-i nuk po bën asgjë më mirë se UNMIK-u, sepse e ka trashëguar nga UN IMK-u mospunën apo e ka trashëguar nga UNMIK-u realizimin e një projekti politik. Po luhet një lojë shumë e pandershme në kurriz të viktimave”, tha Shala.

Shala ka shtuar se edhe KMLDNJ ka ofruar shumë materiale për personat e zhdukur, por edhe për krime lufte, ku sipas tij, ka pasur indikacione të qarta për të dyshuar për krime lufte.

Mirëpo, siç ka thënë ai, asnjë herë nuk jemi marrë parasysh.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG