Ndërlidhjet

Shoqëria civile: Gjyqësori 100% fajtor për nivelin e lartë të korrupsionit


Prokuroritë dhe gjykatat në Kosovës janë ndër fajtorët kryesorë për nivelin e lartë të korrupsionit në Kosovës, konsiderojnë përfaqësuesit e organizatave joqeveritare në Prishtinë.

Në sistemin e drejtësisë janë personat kompetentë të cilët mund të bëjnë hetime dhe gjykime, gjë që sipas shoqërisë civile, dukuria e korrupsionit mund të bie.

Merita Mustafa, menaxhere e programit Transparenca dhe Anti- Korrupsioni në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë se prezenca e lartë e korrupsionit në institucionet e Kosovës, bën që vendi të ngecë në zhvillimin e tij.

“Sa i takon prokurorisë dhe gjyqësorit ne lirisht aty mund ta hedhim fajin 100% sepse janë njerëzit kompetentë dhe i kanë të gjitha mundësitë që të bëjnë hetime dhe gjykime të korrupsionit".

"Pse nuk janë ata aktivë, kjo lidhet më shumë me guximin e tyre e gjithsesi që është edhe një pengesë siguria e tyre, mirëpo ata nëse kanë vullnet duhet t’i kërkojnë kushtet dhe të jenë me të zëshëm, sidomos organet kompetent, të cilat janë të thirrura për t’i mbikëqyrur gjykatat dhe prokuroritë dhe t’ju sigurojnë kushtet elementare për funksionimin e duhur”, u shpreh Mustafa për Radion Evropa e Lirë.

Mustafa thekson se si gjyqtarët, po ashtu edhe prokurorët, duhet ta kenë si çështje kryesore luftimin e korrupsionit.

Në këtë drejtim, shprehet ajo, duhet të ketë një vendosmëri më të madhe dhe të dënohen personat të cilët gjenden fajtorë.

“Mos guximi faktikisht vjen nga fuqia e tepërt e politikanëve tanë, me të cilët tashmë jemi mësuar. Ata ndihen inferiorë karshi politikanëve, sepse klasa politike dihet tashmë se në Kosovë është mjaft e fuqishme dhe për këtë arsye gjyqtarët dhe prokurorët hezitojnë në një farë mënyre, mirëpo gjithashtu është e lidhur edhe me emërimet që bëhen në këto institucione që nganjëherë edhe politika i përzien duart në këto institucione”, tha Mustafa.

Kurse Avni Zogiani nga organizata joqeveritare “Çohu”, i thënë Radios Evropa e Lirë se janë disa faktorë të cilët ndikojnë në mos arritjen e rezultateve në luftimin e korrupsionit.

Ai thotë se një ndër faktorët është mungesa e vullnetit politik.

“Korruptimi i vet sistemit gjyqësor dhe politik është faktori më i rëndësishëm, por që kjo do megjithatë një vullnet dhe një analizë për ta tejkaluar. Ne mund të marrim arsyetime nga më të ndryshmet, nga pagat e vogla e deri të frika, por unë mendoj që baza e problemit është pikërisht në mungesën e vullnetit politik për ta gjetur se ku në të vërtet janë faktorët kryesorë që ndikojnë në mos veprimi e gjyqësorit”, tha Zogiani.

Derisa zonja Mustafa thotë se në ketë drejtim Agjencia Kundër Korrupsionit me kompetencat që ka nuk mund të bëjë më tepër në këtë drejtim, Zogiani fajëson ketë agjenci për mos angazhim të duhur.

Sipas organizatës ndërkombëtare Transparency International, sektori më i korruptuar në Kosovë del të jetë gjyqësia, e cila pasohet nga partitë politike, shërbimet shëndetësore, Kuvendi i Kosovës, bizneset, sistemi arsimor, zyrtarët e institucioneve publike, policia dhe mediat.

Në Kosovë tashmë ekzistojnë disa mekanizma të cilët janë të thirrur për ta luftuar korrupsionin, sikurse Agjencia Kundër Korrupsionit, Task Forca pranë Qeverisë së Kosovës dhe Këshilli Kombëtar kundër korrupsionit pranë presidencës së Kosovës.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG