Ndërlidhjet

“Kam një ëndërr”: Vizionet e së ardhmes të frymëzuara nga Martin Luther Kingu

  • RFE /RL

Më 28 gusht të vitit 1963, rreth 250,000 njerëz janë mbledhur në Uashington, duke bërë thirrje për punë, drejtësi sociale dhe të drejta të barabarta.

Në Memorialin Lincoln, ata kanë dëgjuar fjalimin e ikonës së të drejtave civile, Martin Luther King, i cili imagjinonte një ditë kur njerëzit nuk do të gjykoheshin për nga ngjyra e lëkurës, por nga përmbajtja e karakterit të tyre.

Për të shënuar 50 vjet të fjalimit legjendar "I have a dream", Radio Evropa e Lirë ka pyetur disa aktivistë të rajoneve që mbulon se çfarë ëndrrash kanë për të ardhmen e vendeve të tyre.

Shirin Ebadi, Iran

Shirin Ebadi, 66 vjeçe, është avokate iraniane dhe aktiviste për të drejtat e njeriut. Në vitin 2003, ajo është bërë iraniania e parë dhe gruaja e parë myslimane që fiton Çmimin Nobel për Paqe. Lufton shumë për të drejtat e grave dhe ka udhëhequr reformat në Ligjin familjar të Iranit. Ebadi ka jetuar në mërgim qysh në vitin 2009, pas rizgjedhjes së kontestueshme të presidentit Mahmud Ahamdinejad.

“Unë kam një ëndërr. Ëndrra ime është që zemra e njeriut të globalizohet, në atë mënyrë që çdo individ të ndjejë dhimbjen dhe ankthin e tjetrit sikur të ishte dhimbja dhe ankthi i tij”, thotë Ebadi.

Dmitry Makarov, Rusi

Dmitry Makarov, 31 vjeç, është udhëheqës i Lëvizjes për të Drejtat e të Rinjve në Rusi dhe anëtar i Ekipit Ligjor, i cili siguron ndihmë legale për aktivistët rusë. Veprimtaria e tij ka çuar në përfshirjen e ndryshimeve të rëndësishme në legjislacionin rus për marrëdhëniet e policisë me qytetarët. Ai po ashtu ka punuar për të krijuar praktikën e vëzhguesve të pavarur publikë në seancat e qeverisë dhe seancat gjyqësore.

Do të doja të jetoj në një vend, ku interesat e individit, vlerat e lirisë, drejtësisë dhe dinjitetit janë më të rëndësishme se territori apo çdo interes kombëtar apo shtetëror. Koncepti i të drejtave të njeriut që unë mbështes, nuk ka të bëjë me lumturinë, por me standardet minimale të jetës që u mundësojnë njerëzve të kenë dinjitet dhe liri. Ëndërroj që ky minimum të respektohet në vendin tim”, thotë Makarov.

Anastasia Danilova, Moldavi

Anastasia Danilova, 30 vjeçe, është drejtore ekzekutive e Genderdoc-M, organizatës së vetme joqeveritare në Moldavi, e cila mbështet të drejtat e lesbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe transseksualëve. E lindur në Rusi, Danilova është zhvendosur në Moldavi në vitin 2004 për të qenë me të dashurën e saj.

“Ëndra e shumë mbrojtësve të të drejtave të njeriut mund të rëduktohet në një ëndërr shumë të thjeshtë, ndoshta banale, por megjithatë madhështore: të drejta të barabarta për të gjithë njerëzit. Si aktiviste e LGBT-së në Moldavi, kjo është ajo që dua të shoh edhe në vendin tim. Do të doja të shoh njerëzit duke respektuar njëri-tjetrin pa marrë parasysh se sa ndryshe janë. Do të doja të shoh respekt të pakushtëzuar nga shteti për të drejtat dhe liritë e të gjithë qytetarëve”, thotë Danilova.

Natasa Kandiq, Serbi

Natasha Kandiq, 67 vjeçe, është aktiviste serbe e të drejtave të njeriut dhe themeluese e Qendrës për të Drejtën Humanitare, e cila bën fushatë për të drejtat e njeriut dhe pajtimin në ish-Jugosllavi. Edhe pse është e diskutueshme në Serbi, ajo ka marrë disa çmime ndërkombëtare për të drejtat.

“Gjithmonë mendoj rreth asaj se si t’i emëroj të gjitha viktimat në luftën e Jugosllavisë dhe si ta thyej heshtjen në Ballkan për të kaluarën dhe viktimat. Kujtesa ka përfshirë gjithmonë numra dhe jo emra. Është ëndrra ime dhe shpresoj që një ditë, të gjithë ne në ish-Jugosllavi dhe në botë do të dimë emrat e viktimave të krimeve të luftës dhe të luftës”, thotë Kandiq.

Ramazan Bashardost, Afganistan

Ramazan Bashardos, 48 vjeç, është njëri nga mbrojtësit më të njohur të të drejtave të njeriut në Afganistan. Është anëtar i parlamentit dhe ka garuar për president në vitin 2009.

“Ëndrra ime është arritja e drejtësisë politike, sociale, kulturore, etnike dhe ekonomike në Afganistan. Nuk flas për ndarje të pushtetit. Nuk flas për atë se sa ministra janë pashtunë, hazaras, taxhikë ose uzbekë. Ëndrra ime është që çdo qenie njerëzore, çdo afgan, çdo ide dhe çdo besim të njihet”, thotë Bashardost.

Hanaa Edwar, Irak

Hanaa Edwar, 67 vjeçe, është sekretare e përgjithshme e Shoqatës Al-Amal të Irakut dhe bashkëthemeluese e Rrjetit të Grave të Irakut – një organizatë kjo që tubon 80 grupe të grave nga i gjthë vendi. Ajo është po ashtu bashkëthemeluese e Iniciativës Civile për Rujatjen e Kushtetutës.

“Ëndrroj që Iraku të jetë i sigurt, që njerëzit të jetojnë të sigurt, të bëjnë jetë normale si të tjerët. Ëndrroj që njerëzit të kenë marrëdhënie me të tjerët pa frikë dhe hezitim. Ëndrroj që njerëzve t’iu përmbushen ëndrrat për liri, zhvillim, përparim, lumturi – gjë që na ka munguar për dekada. Kjo është ëndrra dhe dëshira jonë”, thotë Edwar.

Hikmet Hajizade, Azerbajxhan

Hikmet Hajizade, 59 vjeç, është analist i njohur politik në Azerbajxhan. Ai është mjek me profesion dhe ish-ambasador i Azerbajxhanit në Rusi.

“Kam disa ëndrra. Por, ëndrra ime kryesore është të pastrohemi nga gënjeshtrat dhe hajnitë. Korrupsioni, gënjeshtrat dhe plaçkitjet janë problemet më të mëdha, me të cilat përbvallet kombi ynë. Këto janë burime të fatkeqësisë sonë”, tjotë Hajizade.(v.tela)

XS
SM
MD
LG