Ndërlidhjet

Afrimi SHBA-Iran: Përfundon para se të nisë?!


Sulmet ushtarake në Siri, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, do të shkaktonin dëme kolaterale dhe do të dëmtonin optimizmin për riafrim midis Teheranit dhe Uashingtonit.

Fitorja e presidentit Hassan Rohani në zgjedhjet e korrikut është parë si shans për përmirësimin e marrëdhënieve midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Rohani ka marrë një pozitë relativisht të moderuar në çështjet politike, duke u zotuar se do të përmirësojë lidhjet me Perëndimin dhe se do të provojë një qasje ndryshe në negociatat për programin e kontestueshëm bërthamor të Iranit.

Kjo është mirëpritur nga votuesit iranianë, të cilët mezi presin që t’iu hiqen sanksionet ndërkombëtare. Është mirëpritur edhe nga ligjvënësit amerikanë që janë të hapur për bisedime, që mund të parandalojnë Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore.

Patrick Clawson, drejtor i kërkimeve në Institutin për Politika të Lindjes së Afërt në Uashington, thotë se ndërhyrja e Amerikës në Siri do të komplikonte në mënyrë të konsiderueshme pritjet e tilla.

“Sulmi ushtarak ka të ngjarë të nxjerrë në pah dallimet midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për zhvillimet në Siri”, thotë ai.

Në anën tjetër, edhe mbështetja e vazhdueshme e Iranit për Qeverinë siriane, aleatin kryesor në rajon, mund të përfundojë çdo bisedë për heqjen e sanksioneve ekonomike.

Kjo, sepse ndërhyrja ushtarke në Siri do të ishte hakmarrje për sulmin me gaz toksik, për të cilin Perëndimi beson se është kryer nga forcat e presidentit sirian, Bashar al-Assad.

“Do të jetë shumë e vështirë për Shtetet e Bashkuara që të pajtohen për heqjen e sanksioneve ndaj Iranit, nëse Irani ofron mbështetje jetike për regjimin që përdor armë kimike”, thotë Clawson.

Udhëheqja iraniane ka dënuar ndërhyrjen e mundshme ushtarake kundër qeverisë së Assadit, e cila është po ashtu një litar shpëtimi për grupin militant të Hezbollahut në Libanin fqinj.

“Intervenimi amerikan do të ishte katastrofë për rajonin. Rajoni është si një fuçi baroti. E ardhmja e tij nuk mund të parashikohet”, ka thënë udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

Pasojat e aksionit ushtarak në Siri do të vareshin nga shkalla e intervenimit, thotë Clawson. Sulmet kundër caqeve të caktuara të regjimit do të komplikonin më pak çështjen, sesa fushata e vazhdueshme për rrëzimin e Assadit.

Shumë vëzhgues dyshojnë se pasojat mund të përfshijnë hakmarrje ushtarake nga Irani, por çdo askion ushtarak do të forconte pozitën e politikanëve të linjës së ashpër në Iran, të cilët kundërshtojnë bisedimet me Shtetet e Bashkuara, dhe do të zhdukte zërat e moderuar brenda Iranit.

Për të mbrojtur interesat e saj në Siri, udhëheqja e Iranit mund të rrisë përpjekjet e saj klandestine në këtë vend, duke u bërë thirrje grupeve ekzistuese si Hezbollahu për të luftuar për interesat e saj.

Ghanem Nuseibeh, analist nga Londra, shpjegon ndikimin e menjëhershëm politik për Rohanin.

Besoj se do ta ketë shumë vështirë që të bëjë thirrje për marrëdhënie më të mëdha me Perëndimin në një afat më të shkurtër. Njëri nga mandatet e tij kryesore, për aq kohë sa politika ndërkombëtare të jetë e shqetësuar, do të dëmtohet, pasi nuk do të jetë në gjendje t’iu shpjegojë politikanëve të linjës së ashpër në qeveri rëndësinë e marrëdhënieve më të mëdha dhe më të afërta me Perëndimin”, thotë Nuseibeh.(v.tela)
XS
SM
MD
LG