Ndërlidhjet

Shëndetësia për Prishtinën, çdo vit buxhet më të ulët


Ilustrim
Ilustrim
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për të shkurtuar grantin për shëndetësi, për 2.4 milionë euro për Komunën e Prishtinës.
Këtë vit buxheti ka qenë 6 milionë e 800 mijë, ndërkohë që për vitin 2014, buxheti do të jetë 4.4 milionë euro.

Sipas zyrtarëve në Kuvendin Komunal të Prishtinës, rezultatet e llogaritjeve që ata kanë bërë për t’i mbuluar shpenzimet, buxheti duhet të jetë rreth 7 milionë euro.

Valbon Krasniqi, anëtar i grupit të ekspertëve për shëndetësi nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Kuvendin Komunal të Prishtinës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se granti për shëndetësi primare në Komunën e Prishtinës do të jetë 4.4 milionë euro në dispozicion për vitin 2014.

“Bazuar në Ligjin për buxhet, qysh në qarkoren e parë buxhetore që e kemi marrë ne komunat, po ashtu edhe komuna e Prishtinës, kemi vërejtur se granti për shëndetësi primare në nivel të Kosovës është zvogëluar, në krahasim me vitin e kaluar. Me këtë zvogëlim është prekur sidomos komuna e Prishtinës në mënyrë të ndjeshme. Nëse krahasohet me vitin 2013 , për vitin 2014 është për 2.4 milionë euro më i ulët”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkaq, Avdullah Hoti, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, ka bërë të ditur se buxheti i vitit të ardhshëm nuk do të mund t’i mbulojë as pagat e mjekëve në Prishtinë.

Ai ka paralajmëruar se komuna do të detyrohet të mos pranojë pacientë të komunave të tjera në Shtëpitë e shëndetit në kryeqytet.

“Nëse realizohet ajo çka ka thënë pushteti qendror, duhet të reduktohet numri i punëtorëve. Me këtë buxhet do të pësojnë pacientët, për shkak të shërbimeve shëndetësore jo të mira dhe humbjes së vendit të punës të punëtorëve”.

“Në këto rrethana, buxheti aktual nuk ka mjaftuar, por komuna e Prishtinës është përafruar deri diku në krahasim me komunat tjera. Kanë funksionuar 12 laboratorë në kuadër të QKMF-ve, dhe nuk mund të themi që qytetarëve nuk iu kemi ofruar shërbime të mira”,
është shprehur Hoti.

Politikat shëndetësore për vitin e ardhshëm, ka theksuar Hoti, kanë qenë që të investohet në infrastrukturë, ndërkaq shkurtimi i buxhetit do t’i dëmtojë këto projekte.

“Ne kemi pasur pretendime vitin e ardhshëm të ndërtojmë edhe 5 qendra tjera, në mënyrë që qytetarët t’i kenë sa më afër shtëpive Qendrat e Mjekësisë Familjare, dhe aty t’i marrin shërbimet”, ka shtuar Hoti.

Komuna e Prishtinës, sipas Valbon Krasniqit, nga të hyrat vetjake, ndan rreth 3 milionë euro për investime kapitale në këtë sektor. Pra, edhe ai grant që ka pasur, ka qenë për të mbuluar funksionimin e Qendrave të Mjekësisë Familjare.
XS
SM
MD
LG