Ndërlidhjet

Gazeta britanike, “The Guardian” raporton se sulmet ajrore ushtarake të perëndimit kundër qeverisë në Siri mund “të ngecin për shkak të konflikteve politike britanike”.

Sipas gazetës kryesore britanike, “kundërshtimi i fuqishëm në parlamentin britanik për përfshirjen e menjëhershme në aksionin ushtarak” mund të shtyjë sulmet ajrore deri javën e ardhshme.

Artikulli thotë se refuzimi potencial nga Britania për të mbështetur sulmin ushtarak kundër regjimit në Damask, “mund të minoj pretendimin e Washingtonit për përkrahje të gjerë”.

Në anën tjetër, “Le Monde” franceze, ka publikuar një artikull të titulluar “Paradoksi Amerikan” në Siri.

Artikulli kryesor spekulon që një intervenim i udhëhequr nga amerikanët në Siri do të qetësonte të gjithë njerëzit në Lindje të Mesme që i “demonizojnë” SHBA-të dhe i fajësojnë që “nuk i lejon arabët që ta kontrollojnë vet fatin e tyre”.

“Le Monde” megjithatë, vlerëson se ndikimi i vërtetë i Washingtonit në rajon është tej mase i ekzagjeruar.

Versioni digjital i “Abha Al-Watan”, pjesë e kompanisë medial reformiste saudite, e ka publikuar një editorial që e ka titulluar “Siria, intervenimi ndërkombëtar dhe hutia politike”.

Aty thuhet se sulmi ushtarak perëndimor në Siri është i pashmangshëm, por ka spekuluar që intervenimi do të jetë i kufizuar dhe për këtë nuk do arrijë ta ndalojë konfliktin.

Editoriali sugjeron që SHBA-të dhe aleatët e saj janë më shumë të interesuar që të rrisin përkrahjen për vetën në shtetet e tyre se sa që të ndihmojnë sirianët.

E përditshmja ultra-konservatore e Iranit, “Kayhan” e ka publikuar një editorial të titulluar, “Lideri i Revolucionit: Intervenimi ushtarak në Siri definitivisht do ta dëmtojë Amerikën”, në faqen e parë të saj.

Artikulli i shkruar nga redaktori, Hossein Shariatmadari, përmban edhe një paralajmërim nga lideri supreme iranian, Ali Khamenei, se intervenimi ushtarak amerikan në Siri mund të rezultojë në masa hakmarrëse të ndërmarra nga regjimi i Bashar al Assad.

Pretendimet e Shariatmadarit se në rast të sulmeve amerikane, Artikulli 51 i statutit të Kombeve të Bashkuara do t'i lejonte Sirisë që të sulmojë “objektet, burimet ekonomike dhe qendrat që janë efektive në rritjen e fuqive ushtarake të kundërshtarit”.

Editoriali shkruan që Arabia Saudite, Turqia, Jordani, Katari dhe Izraeli janë shtetet që potencialisht do të mund të sulmohen nga forcat siriane.

Në anën tjetër, gazeta e moderuar iraniane, “Etemad” ja ka kushtuar pjesën më të madhe të faqes së saj të parë Sirisë, me kryetitullin: “Këmbanat Ogurzi të Luftës”

Aty thuhet se perëndimi është i vendosur që të intervenojë ushtarakisht në Siri pa e arritur konsensusin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe se “e gjitha bota është duke pritur e tmerruar fillimin e luftës kundër Sirisë nga SHBA-të dhe aleatët e saj”.

Gazeta e citon një analist politik që paralajmëron se një luftë në Siri mund ta destabilizonte rajonin. Analisti, Dehghani Firouzabadi, ka thënë se Irani vështirë që do ndërmerrte masa ushtarake në përkrahje të Sirisë.

Gazeta ditore qeveritare ruse, “Rossiskaya Gazeta” e ka publikuar një editorial për politikën për Sirinë të presidentit amerikan, Barack Obama të titulluar: “Duke humbur nervat?”.

Vladislav Vorobyov e ka kritikuar Obamën pse më 27 gusht ka thënë që filmi “The Butler”, tregimi i një shërbyesi me ngjyrë në Shtëpinë e Bardhë e ka bërë atë të qajë.

“Derisa e gjithë bota, duke e mbajtur frymën, pret që fituesi i çmimit Nobel, Barack Obama të lëshojë të gjithë fuqinë e armatimit të Amerikës në Siri, presidenti amerikan papritmas është lëshuar në lot”, shkruan editorialisti.

“Personat që merren me fushatën mediale të tij, padyshim kanë vendosur që duke e pasur parasysh situatën kritike ndërkombëtare, të shfaqin sado pak humanizëm të ustait të Shtëpisë të Bardhë”.

Editoriali shkon më tej duke e peshuar nëse Obama do “hyjë në histori si presidenti i SHBA-ve që e ka nisur Luftën e Tretë Botërore me lot në sy”.

Gazeta tjetër ruse, që gëzon respekt për trajtimin e temave të biznesit, parashikon që thellimi i konfliktit sirian jo domosdoshmërish do shkaktojë një rritje të madhe në çmimet e naftës.

Analisti i pavarur rus i energjisë, Mikhail Krutikhin, është cituar duke thënë se nëse Arabia Saudite, Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari dhe vende të tjera të pasura me naftë “vazhdojnë aktivitetet normale të biznesit pa u përfshirë në intervenimin ushtarak, luhatjet serioze në tregun e naftës mund të evitohen”.

Gazeta turke, “Hrriyet Daily News Online” e ka publikuar gjithashtu një editorial ku ka studiuar pasojat për Turqinë nëse kjo e fundit merr pjesë në sulmet kundër qeverisë së Assadit.

Kolumnisti Nihat Ali Ozcan, ka thënë se ministri i jashtëm, Ahmet Davutogllu i cili gjithashtu ka thënë se Turqia do ta përkrahte intervenimin e udhëhequr nga amerikanët në Siri, ka shumë arsye që të veprojë ashtu: numri në rritje i refugjatëve sirianë në Turqi, ndikimi në rritje i Partisë e Punëtorëve të Kurdistanit në Siri dhe prania e xhiadistëve të lidhur me Al Kaidën përgjatë kufirit me Sirinë.

Mirëpo editorialisti paralajmëron se objekti i sulmeve nuk do të jetë heqja nga pushteti e Assadit, diçka që do të thotë se problemet për Turqinë mund të zgjasin “më shumë se sa që pritet”.


Përgatiti: Artan Haraqija
XS
SM
MD
LG