Ndërlidhjet

logo-print
Në Kosovë janë duke u zhvilluar debate të shumta rreth përcaktimit të pagës minimale për vitin 2014.

Derisa përfaqësues të punëtorëve kërkojnë që paga minimale të jetë rreth 65 për qind e pagës mesatare aktuale, çka do të nënkuptojë rritjen e pagës minimale, punëdhënësit thonë se rritja e pagës minimale mund të rriste punësimin joformal.

Paga mesatare në sektorin publik në Kosovë, për vitin 2011 sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës ishte 368 euro, ndërsa në vitin 2012 ishte 372 euro.

Ndërkaq, paga minimale e caktuar me vendim të Qeverisë së Kosovës në vitin 2011 është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç, dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.

Kryesuesi i Këshillit Ekonomik Social, Alush Sejdiu, thotë për Radion Evropa e Lirë se kanë kërkuar që për përcaktimin e pagës minimale të merren kriteret që dalin nga Ligji i Punës.

“Ne kemi kërkuar që kategorizimi të largohet dhe konsiderojmë që kategorizimi është diskriminues, aq më tepër që ky kategorizim është bërë në bazë të moshës dhe jo kritereve tjera, si përgatitja profesionale. Ne asnjëherë nuk e pranojmë këtë dhe këmbëngulim që të mos ketë kategorizim, por të përcaktohet një pagë unike në nivel vendi”, thotë Sejdiu.

Sipas Ligjit të Punës, neni 57, paga minimale duhet të përcaktohet duke marrë parasysh koston e shpenzimeve jetësore, përqindjen e shkallës së papunësisë, si dhe gjendjen e përgjithshme në tregun e punës dhe përcaktohet për periudhën njëvjeçare.

Në rezultatet e regjistrimit të popullsisë, ku tregohen edhe shifrat e papunësinë, thuhet se prej 508.100 banorëve që janë të aftë për punë, 44.9 për qind janë të papunë.

Kosova ka 227.646 banorë të papunë, përderisa të punësuar konsiderohen 280.454 persona.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thekson paga minimale nuk duhet të jetë e lartë, për shkak se për bizneset mund të jetë ngarkesë dhe shumë biznese në Kosovë nuk kanë fuqi ekonomike që të bëjnë pagesa për paga të larta.

“Kosova, më shumë se 85 për qind të kompanive i ka të vogla dhe që nuk kanë shumë persona të punësuar, e që kanë pagë mujorë 100 deri në 150 euro. Nëse ne i detyrojmë që kjo pagë të jetë më e lartë, këta operatorë ekonomikë do të detyrohen që të mos i legalizojnë punëtorët dhe të kalojnë në tregun joformal”, vlerëson Shahini.

Paga, konsideron Shahini, duhet të përcaktohet ndërmjet punëmarrësit dhe punëdhënësit dhe të mos imponohet nga askush.

Paga minimale prej 130 eurosh deri në 170 euro, sipas kryesuesit të Këshillit Ekonomik Social, Alush Sjediu, as për së afërmi nuk i përmbush nevojat ekzistenciale për një person që ka një pagë të tillë.

“Kjo është e pamjaftueshme. Vetëm shërbimet komunale nuk arrin të mbulohen me këtë pagë”, thekson Sejdiu.

Këshilli Ekonomik Social i themeluar nga Kuvendi i Kosovës deri më 31 gusht duhet t’i dorëzojë Ministrisë së Financave rekomandimet lidhur me përcaktimin e pagës minimale.

Më pas Fondi Monetar Ndërkombëtar, në bazë të rekomandimeve, bën përcaktimin e pagës minimale.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG