Ndërlidhjet

logo-print

Giordano: Mund të bëhet letërsi në arbërishte


Agostino Giordano

Agostino Giordano

Seminari për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka bërë shumë për arbëreshët e Italisë, i ka ndikuar ata dhe iu ka dhënë mundësinë e qasjes ndaj gjuhës arbëreshe dhe letërsisë e kulturës shqiptare, si dhe ka fuqizuar edhe më shumë kulturën e tyre, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, albanologu arbëresh, Agostino Giordano.


Radio Evropa e Lirë
Zoti Giordano, ju jeni për të satën herë në Seminarin e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare. Por, gjatë këtyre viteve, sa keni vërejtur se ka krijuar lidhje ky seminar me arbëreshët që jetojnë në Itali?

Agostino Giordano
Ky seminar ka bërë shumë për arbëreshët, i ka ndikuar shumë ata, i ka qasur arbëreshët ndaj gjuhës arbëreshe dhe ndaj letërsisë dhe kulturës shqiptare. Kjo nuk do të thotë se i ka shqitur nga Arbëria , apo i ka shqitur nga bota arbëreshe, por e ka fuqizuar edhe më shumë kulturën e tyre. Edhe unë jam rritur bashkë me këtë seminar. Herën e parë kam ardhur në këtu në vitin 1976, në vitin e tretë që mbahej.

Radio Evropa e Lirë
Është thënë në disa raste nga albanologët që kanë ardhur nga Italia, albanologë arbëreshë, që megjithatë pozita e arbëreshëve në Itali nuk ka qenë ndoshta aq e vështirë siç e kanë parë shqiptarët e Kosovës në një kohë. Qëndron kjo?

Agostino Giordano
Jashtë atdheut çdo pakicë ka vështirësi për t’i ruajtur dhe për t’i lëshuar rrënjët, që t’i zhvillojë doket tjera, për të bërë një tjetër kulturë, për të shkruar me gjuhën e të parëve. Kjo është vështirësi. Patjetër, edhe ne në Itali e kemi pasur këtë vështirësi. Por, Zoti na e ka dhënë mundësinë, na e ka dhënë fuqinë.

Kemi pasur shtrëngime. Për shembull, nga ana e papëve dhe nga ana e mbretërve e kemi pasur rrugën e hapur. Nga ata e kemi pasur ftesën që të shkojmë në Itali dhe për të krijuar katundet tona. Por, nga ana e baronëve lokal, nga ana e peshkopëve latin lokal, nga ata kemi qenë të luftuar shumë. Por, kokë-ngurtësia jonë ka fituar edhe mbi jomikpritjen e tyre.

Radio Evropa e Lirë
Megjithatë, a mbrohen sot arbëreshët dhe pakicat në këtë rast në Itali dhe gjuhët e tyre?

Agostino Giordano
Po. Nëse shkuan afër 5 shekuj e gjysmë që nga emigrimi i arbëreshëve nga Shqipëria drejt Italisë, kemi pasur fuqinë, kemi pasur zemër, kemi pasur kulturë për të lëshuar rrënjë në atë botë. Ka polemika dhe thuhet se nuk kemi qenë aq të mirëpritur nga Italia. Por, mikpritjen nëse nuk e gjen, atëherë e krijon. Edhe nëse ai që të pret, nuk të jep dorën të të flasë, ti sillesh mirë dhe ai e kupton që je i mirë dhe të ofron.

Do të thotë, Itali sot e që nga viti 1999, Parlamenti italian, ka biseduar për ne dhe për të gjithë minorët gjuhësor dhe historik të Italisë. E kishte filluar me shumë para për t’i ndihmuar këto pakica, por tash pas krizës ekonomike që po e përshkon tërë Evropën, por edhe Italinë, këto financime vijnë duke u shuar, duke u pakësuar shumë. Por, sa për këtë, arbëreshët janë të mësuar të mbijetojnë vetëm, qoftë edhe pa ligj (ndihmën ligjore) krahinor, provincial e shtetëror. Si kemi jetuar deri tash? Kemi jetuar me vullnet, me zemër, me fuqi.

Radio Evropa e Lirë
Ju sot keni mbajtur një ligjëratë. Cila ka qenë tema dhe çfarë keni sjellë?

Agostino Giordano
Këtë kumtesë, që nuk pata motin (kohën) ta lexoja të gjithën, e kam shkruar në arbërisht. Kam folur për atë se sa mundësi ka kjo gjuhë e kësaj pakice arbëreshe të Italisë, të mund të bëjë letërsi. Pas meje, tre apo katër zotërinj këtu, profesorë të këtij universiteti dhe universiteteve tjerë, kanë folur për De Radën, për Seremben, Santorin. Do të thotë se me këtë gjuhë, që po flas tash, mund të bëhet letërsi. Me arbërishten mund të bëhet poezi. Nëse nuk e marrim nga Matrënga, te viti 16 e deri më sot, nëse ne nga faqet e letërsisë shqiptare i shqerrim (shqyejmë) ato faqe që flasin për poetët, shkrimtarët, dijetarët dhe intelektualët arbëresh, ndoshta tek ai libër që flet për letërsinë shqipe do të mbetet vetëm gjysma.

Radio Evropa e Lirë
Do të thotë, ju mendoni se mund të shkruhet edhe tash në arbërishte?

Agostino Giordano
Unë shkruaj në arbërisht. Thonë të tjerët se jam edhe poet. Thonë të tjerët, nuk e them unë. Para një muaji, nga shtëpia botuese “Faik Konica”, këtu në Prishtinë, ka dalë një vëllim i titulluar “Telat e zemrës”, ku e kam nisur me arbërishten, në vitin 1971, kur kam shkruar arbërisht.

Kam shkruar pastaj me shqipen dhe përsëri u ktheva tek arbërishtja, sepse e kuptova edhe sepse jam drejtor i një reviste arbëreshe e vetmja, ku shkruhet vetëm arbërisht ose shqip dhe quhet “Jeta arbëreshe”. Kam filluar ta shkruaj në vitin 2002 dhe tash jemi tek viti i 11.

Jam kthyer të shkruaj në arbërishte, sepse me këtë gjuhë mund të bëhet letërsi, ashtu siç mund të shkruhet një artikull, prozë ose e ngjashme dhe mund të bëhet edhe poezia. Sot ka dalë edhe një vëllim tjetër këtu në Prishtinë dhe jam i gëzuar për këtë.

Radio Evropa e Lirë
A mendoni se do të ruhen për gjatë raportet dhe marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve të Kosovës, të Shqipërisë dhe të arbëreshëve, të paktën në fushën profesionale të albanologjisë?

Agostino Giordano
Patjetër, ne jemi të gjithë të një nëne. Do të thotë, shqipja është si të ishte një lumio (lum) e ne jemi të gjithë përrenj rrëkaq (rrjedhës). I sjellim ujë këtij lumi të madh.

Dua të them se arbëreshët nuk janë një degë e shkëputur nga Shqipëria. Jemi të gjithë një, por e kemi këtë krenari tonën që ta mbajmë gjallë këtë gjuhë (arbërishten), sepse me këtë gjuhë është shkruar një pjesë e letërsisë shqiptare në përgjithësi. Mbi këtë gjuhë dhe mbi autorët që kanë përdorur këtë gjuhë, edhe sot në seancën e parë shkencore për letërsinë (në kuadër të Seminarit), kemi parë se 70 për qind e kumtesave, kanë shkuar patjetër, nuk e di pse, për letërsinë arbëreshe.

Ne nuk kemi asgjë kundër Shqipërisë, as kundër shqipes dhe kundër askujt. Unë e thashë në kumtesën time që njeriu shkruan si do, si i pëlqen atij, por edhe sepse letrari zgjedh një gjuhë, një udhë të veçantë prej një tjetri dhe me këtë ai bën poezi ose prozë artistike.

Atëherë, të mirëseardhura janë të gjitha gjuhët, të folmet arbëreshe më të pastra, e ashtuquajtura gjuha standarde arbëreshe, si dhe gjuha standarde shqipe. Mirëpo, e mirëseardhur është, nëse ndonjë bën letërsi në gjuhën (dialektin) gegë. E pse jo? Atëherë, Fishta a nuk bën pjesë në letërsinë shqipe? Ai është një ndër më të mëdhenjtë. De Rada është arbëresh. Nuk bën pjesë në këtë?

Domethënë, ne jemi pjesë të së njëjtës zemër dhe jemi pjesë e të njëjtit komb.

Më parë na thoshin arbër. Pastaj na kanë kujtuar për pesë shekuj e gjysmë si arbër, arbëresh dhe Arbëri, etj. Jemi arbëresh. Jemi të gjithë arbëresh dhe kështu do të mbetet.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG