Ndërlidhjet

logo-print

Hoxhaj kërkon ndryshimin e 1244 dhe anëtarësim në OKB


Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë fjalimit të mbajtur të enjten në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka kërkuar që të ndryshohet rezoluta 1244 dhe që Republika e Kosovës të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Ministri Hoxhaj para anëtarëve të KS të OKB-së ka prezantuar zhvillimet kryesore politike që kanë ndodhur në Kosovë, gjatë tre muajve të fundit.

Sipas njoftimit nga Ministria e Jashtme, Hoxhaj është fokusuar posaçërisht në gjendjen e zbatimit të marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, progresin drejt integrimit në BE dhe ruajtjen e stabilitetit.

Ai ka thënë se gjatë kësaj periudhe raportuese, janë vërejtur disa përparime në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani me Serbinë, porse në të njëjtën kohë, ekzistojnë disa tendenca te qarta nga ana e Beogradit për të devijuar nga obligimet origjinale, të cilat dalin nga marrëveshja e normalizimit.

“Duke parë hapat pozitivë, ne mirëpresim mbylljen e njëmbëdhjetë zyrave policore serbe në komunat veriore. Në të njëjtën kohë, ka dëshmi që anëtarë të strukturave paralele serbe po vazhdojnë të operojnë nga premisa private, duke qëndruar kështu në gjendje gatishmërie për të destabilizuar këtë pjesë të Kosovës”, ka thënë ministri i Jashtëm.

Ai ka shprehur angazhimin e Kosovës për të zbatuar plotësisht marrëveshjen e normalizimit me Serbinë dhe të marrë seriozisht të gjitha detyrimet, të cilat janë të nevojshme për të siguruar integrim paqësor të komunave veriore në institucionet e Kosovës.

“Megjithatë, normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërshtetërore do të arrihet atëherë kur Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës. Në të njëjtën kohë, kontributi ndërkombëtar do të përfundojë kur Kosova të bëhet anëtare e plotë dhe e barabartë e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë ministri Hoxhaj, para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
XS
SM
MD
LG