Ndërlidhjet

Thaçi: Fletëvotimet me një logo të pranueshme për të gjithë


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar arritjen e kompromisit me Beogradin për logon që do të përdoret në fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Ai ka thënë se fletëvotimet do të kenë një logo, e cila, sipas tij, mund të mos jetë atraktive dhe së cilës nuk do t’i duartrokitet, por “me rëndësi është që ajo të jetë e ligjshme dhe e pranueshme për të gjithë”.

Gjatë mbledhjes së qeverisë, kryeministri Thaçi e ka cilësuar si historik procesin zgjedhor të 3 nëntorit dhe pritjet që në këtë proces të përfshihen edhe komunat veriore dhe komuniteti serb i atjeshëm, që përbën popullatën shumicë.

“Dokumentet zgjedhore, në kuadër të tyre edhe logoja, do të jenë të ligjshme. Ndoshta nuk do të jenë shumë atraktive dhe të duartrokitura politikisht, por do të jenë të pranueshme për të gjithë. Ne duhet të mendojmë për rëndësinë historike të organizimit të zgjedhjeve në gjithë territorin dhe pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve”, është shprehur Thaçi.

Çështja e simboleve të shtetit të Kosovës në materialin zgjedhor është problematizuar nga pala serbe në kuadër të bisedimeve që po zhvillon me Prishtinën.

Kryeministri serb, Ivica Daçiq, dhe delegacioni që ai kryeson kanë insistuar që fletëvotimet e zgjedhjeve lokale të mos përmbajnë ndonjë simbol të shtetit të Kosovës, pasi që marrëveshja e 19 prillit, sipas palës serbe, është neutrale në raport me statusin e Kosovës.

Heqja e simboleve shtetërore të Kosovës nga fletëvotimet ishte një kusht shtesë i palës serbe në bisedime për pjesëmarrjen e komunitetit serb nga veriu në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Sipas versionit të fundit, logoja e fletëvotimeve mund të përmbajë vetëm inicialet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por jo edhe simbolet e Republikës së Kosovës.
XS
SM
MD
LG