Ndërlidhjet

Qentë endacakë shqetësojnë kryeqytetasit


Kosovë...
Kosovë...
Vrasja e qenve endacakë si praktikë e Kuvendit Komunal të Prishtinës, në vitin 2011, pati zgjuar reagime të shumta te qytetarët dhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Atë kohë qenë eliminuar rreth 300 qen endacakë.

Numri i pakontrolluar i qenve endacakë, po rrezikon qytetarët. Zyrtarë në Kuvendin Komunal thonë se tashmë është ndaluar me ligj eliminimi fizik i qenve.

Lulzim Millaku,
zyrtar për Mjedis në Kuvendin Komunal të Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se këtë javë ka filluar projekti për trajtimin e qenve endacakë, ku përshihet kastrimi dhe sterilizimi i tyre.

"Aktualisht jemi në terren dhe deri tash 45 qen i kemi marrë dhe i kemi dërguar në qendrën për trajtim. Nëse konstatohet se ndonjëri prej tyre vuan nga ndonjë sëmundje, nga agresiviteti dhe nuk mund të kthehet në gjendje të mirë shëndetësore, atëherë me anë të injeksioneve vihet në gjumë dhe kalon në një vdekje jo të dhimbshme, siç quhet", shpjegon Millaku.

Njomza Krasniqi, qytetare, mendon se prania e qenve në rrugë nuk është e mirë, por as vrasja e tyre nuk do të duhet të ndodhë. Ajo mendon se duhet gjetur mënyra të tjera për eliminimin e qenve.

"Unë nuk mendoj se nuk është mirë të enden në rrugë qentë, sepse ka rrezik nga sëmundje të ndryshme, por edhe nga sulmi i tyre. Mendoj se ata mund të dërgohen në ndonjë qendër dhe të bëhet një zgjidhje për ta. E, sa i përket vrasjes së tyre, mendoj se ajo nuk duhet të ndodhë, sepse nuk më duket aspak njerëzore", shprehet Njomza.

Nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, drejtues i këtij mekanizmi thotë se Komuna e Prishtinës është në pozitë të keqe, sepse është rritur numri i qenve endacakë që po i shqetësojnë qytetarët, por edhe po i sulmojnë, derisa në anën tjetër, shoqatat për mbrojtjen e kafshëve e kanë kundërshtuar mënyrën se si komuna i ka asgjësuar qentë endacakë.
Qentë endacakë po paraqesin rrezik, sepse tash të uritur hyjnë në bodrume, në hyrje të ndërtesave të banimit dhe krijojnë panik te qytetarët.

"Qentë endacakë po paraqesin rrezik, sepse tash të uritur hyjnë në bodrume, në hyrje të ndërtesave të banimit dhe krijojnë panik te qytetarët. Organizatat për mbrojtjen e kafshëve kanë kërkuar që të grumbullohen qentë dhe aty të mbahen".

"Mendoj se Kosova është larg atyre mundësive që të ketë qendra për strehimin e qenve endacakë, derisa në anën tjetër nuk është fare e pranueshme të bëjë dikush ekzekutimin e qenve në qytet afër njerëzve",
thotë Shala.

Ndryshe, në Prishtinë ekziston edhe Qendra Kosovare për Trajtimin dhe Strehimin e Qenve Endacakë.

Udhëheqësi i kësaj qendre pati deklaruar se në vitin 2003, ka marrë vetiniciativë që t'i strehojë qentë endacakë dhe pastaj të kujdeset për ta.

Në këtë qendër qentë e marrë nga rruga kalojnë nëpër procedura të nevojshme si sterilizimi, vaksinimi, dhe se kërkesat për adoptimin e tyre janë të mëdha.
XS
SM
MD
LG