Ndërlidhjet

Kosovë: U mbajtë provimi për përmbarues privatë


Pamje nga një pjesë e Prishtinës

Pamje nga një pjesë e Prishtinës

Ministria e Drejtësisë për herë të parë në Republikën e Kosovë ka organizuar provimin për përmbarues, si fazë kryesore në krijimin e sistemit të përmbaruesit privat në Kosovë.

Në hapje të këtij provimi, Driton Lajçi, këshilltar i ministrit të drejtësisë, Hajredin Kuçi, tha se sistemi i përmbarimit privat si institucion i ri për herë të parë po instalohet në sistemin juridik të Republikës së Kosovës, si arkitekturë e drejtësisë dhe si pjesë e asaj që quhet standard i domosdoshëm në ndërtimin e sistemit të drejtësisë, e në veçanti të reformimit të sistemit gjyqësor.

Lajçi tha se me funksionalizimin e sistemit të përmbaruesit privat, në rend të parë, do të mundësohet zbatimi më cilësor i procedurave dhe ekzekutimi më efikas i sistemit të procedurës përmbarimore në nivelin shtetëror, në mënyrë që të pamundësohet grumbullimi i lëndëve përkatësisht vendimeve gjyqësore. Ai shtoi se numri i madh i lëndëve përmbarimore të papërfunduara në gjykata, tregon se në Republikën e Kosovës duhet të ngritën kapacitetet për përmbarimin e lëndëve gjyqësore.

Douglas Muin, përfaqësues i USAID-it, partner në projektin e krijimit të sistemit të përmbaruesit privat, pasi vlerësoi funksionalizimin e sistemit të përmbaruesit privat si shumë të rëndësishëm për Kosovën, përsëriti mbështetjen e institucionit që përfaqëson në krijimin sa me funksional të këtij sistemi.

Ministria e Drejtësisë ka krijuar bazën ligjore për funksionalizimin e shërbimit të përmbarimit privat, i cili shërbim do të fillojë së funksionuari në fillim të janarit të vitit 2014.

Përmbaruesit privat janë persona fizikë, të cilët kryejnë autorizime publike të bazuara në ligj, në funksion të avancimit dhe reformimit të sistemit të drejtësisë.

Në provimin e parë të organizuar për Përmbaruesit Privatë, morën pjesë rreth 50 kandidatë, të cilët nëse me sukses arrijnë ta përfundojnë pjesën me shkrim të provimit, pas një jave do t’i nënshtrohen edhe pjesës me gojë.
XS
SM
MD
LG