Ndërlidhjet


Kosova ka pasuri të mjaftueshme që mund të sigurojnë zhvillim të përgjithshëm ekonomik, por këto potenciale mbesin të pashfrytëzuara, thonë ekspertë të kësaj fushe.

Sipas tyre, resurset minerale, metalike, industria e tekstilit dhe sektori i bujqësisë, konsiderohen si sektorë mjaft tërheqës, si për investitorë vendorë, po ashtu edhe për ata ndërkombëtarë.

Eksperti për çështje ekonomike, Muhamet Mustafa, konsideron se Kosova ka kapacitete edhe pse deri më tani nuk kanë sjellë efekte. Kapacitetet ekzistuese, sipas tij, janë njerëzit me diturinë dhe aftësinë e tyre dhe burimet natyrore.

Por, kapacitetet funksionojnë në qoftë se ato janë dhënë në kuadër të një qeverisjeje të suksesshme, e që nënkupton shumë parakushte, thotë Mustafa.

“ Kapacitetet mund të jenë potenciale, por ato mund të shfrytëzohen vetëm atëherë kur krijohen parakushtet dhe një bashkësi e kushteve, sa një vend disponon me kapacitete, me dije, shkathtësi edhe burime natyrore, fizike dhe të tjera. Dhe, sa këto burime i kombinon në mënyrën më të mirë me një sistem efektiv të qeverisjes, të shtetit ligjor të qeverisjes së suksesshme makro-ekonomike, të sigurisë së investitorëve, të zbatimit të kontratave dhe shumë aspekte të tjera”, thotë Mustafa.

Ndërkaq, Mustafë Hasani, ekspert i kësaj fushe, popullatën e re, e konsideron si potencial kryesor në vend, duke përmendur resurse tjera që mund të ndikojnë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.

Hasani, i cili ka qenë edhe udhëheqës i Agjencisë për Promovimin e Investimeve, tregon se interesimi i investitorëve të huaj nuk ka munguar për sektorët të ndryshëm në vend.

“Resurse tjera që ne kemi, materiale, janë sidomos ato të minierave dhe mineraleve. Viteve të pasluftës nuk e kemi zhvilluar këtë resor që mund të jetë shumë atraktiv".

"Ka ende fuqi punëtore që është e përgatitur dhe mund të tërheqë investitorë të huaj, për shembull në sektorin e tekstilit. Është pjesa e Gjakovës, ku mund të tërhiqen kompani të ndryshme që dëshirojnë të bëjnë punimin e dorës, për shkak të makinave në fabrikat që ekzistojnë; për shkak të fuqisë së lirë punëtore dhe ato prapë të kthehen në vendet të tjera"
, shprehet Hasani.
“Fakti se nuk kemi investime të investitorëve të jashtëm, por as të brendshëm, tregon se nuk është krijuar një mjedis që i ndërlidh këto bashkësi të parakushteve

Por Muhamet Mustafa, nuk përmend ndonjë sektor të caktuar, mirëpo e rëndësishme, sipas tij, është që sektorë ka të mjaftueshëm.

Ai, ndërkaq, vlerëson se në rend të parë duhet të krijohet një ambient i përshtatshëm që investitorët potencialë t’i zgjedhin vetë sektorët e dëshiruar.

“Fakti se nuk kemi investime të investitorëve të jashtëm, por as të brendshëm, tregon se nuk është krijuar një mjedis që i ndërlidh këto bashkësi të parakushteve. Do të thotë nuk janë vetëm burimet, nuk janë vetëm parakushtet, por është edhe sistemi qeverisës, sistemi ekonomik, ligjor, mjedisi biznesor, shumë aspekte që duhet të ndërlidhen që ato kapacitete strategjike të vihen në veprim”, vlerëson Mustafa.

Me një angazhim më të madh të autoriteteve kompetente, ekspertët thonë se do të ketë investime të huaja dhe në këtë mënyrë, siç shprehen ata, do të sigurohet prosperitet më i mirë ekonomik.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG