Ndërlidhjet

Më shumë se 11 mijë maturantë që nuk e kanë kaluar provimin shtetëror të maturës në afatin e kaluar, të shtunën i janë nënshtruar pjesës së parë të testit, ndërsa më 7 shtator do ta kenë pjesën e dytë.

Zyrtarë nga Mistrinë e Arsimit, thanë se provimi ka nisur me kohë në të gjitha komunat ku është paraparë të mbahet testi.

Nehat Mustafa, zëvendësministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, tha për Radion Evropa e Lirë se provimi ka kaluar mirë, ndërsa për mbarëvajtjen e testit janë angazhuar rreth 860 administratorë.

“Nuk janë shënuar parregullsi gjatë procesit të testimit. Kemi pasur rrethe 110 qendra të testimit anembanë Kosovës. Natyrisht, ka pasur shkolla ku në ndonjë rast të caktuar nuk është përputhur numri i nxënësve apo maturantëve me numrin që kanë raportuar drejtoritë komunale të arsimit dhe shkollat, prandaj në ato raste ministria ka intervenuar dhe shumë shpejt ka dërguar teste nga pjesa rezervë”, tha Mustafa.

Kurse, udhëheqësi i sektorit për Vlerësim dhe standarde Mustafë Kadriu, tha për Radio Evropa e Lirë se testi është mbahet në përputhje me planifikimet e bëra.

“Nxënësit, ata të cilët herën e parë nuk kanë treguar rezultate, tash konsideroj se do të kenë mundësi të arrijnë rezultate më të mira në mënyrë që ta përfundoj provimin e maturës dhe të vazhdojnë studimet e mëtutjeshme në njësitë akademike të Universiteteve të Kosovës”, u shpreh Kadriu.

Kadriu ka shpjeguar se testi i sotëm u zhvillua me pyetje nga lëndët gjuhë shqipe, Matematikë dhe Gjuhë angleze, kurse më 7 shtator do t’i kenë edhe provimet e tjera varësisht nga drejtimet e shkollimit.

Ndërkaq, maturante të cilët iu nënshtruan testiti për herën e dytë thanë pyetjet kësaj radhe nuk ju janë dukur të vështira.

Erioni nga gjimnazi “Sami Frashi” lidhur me testin u shpreh:

“Testi për mendimin tim nuk ka qenë edhe shumë i vështirë. Në afatin e parë nuk kam qenë, po në afatin e dytë nuk m’u duk se ka qenë shumë i vështirë. Besoj se do të kalojmë”, u shpreh Erioni.

Kurse, Jonxha Janova tha se testi ka qenë i njëjtë si në herën e parë kur është organizuar ai.

“Testi ka qenë shumë i lehtë, po herën e parë nuk kemi mundur ta kalojmë po herën e dytë shpresoj se kalojmë të gjithë”, u shpreh Janova.

Edha Arjan Zejnullahu thotë se testi nuk ka qenë shumë i vështirë dhe shpreson se e ka plotësuar ashtu siç duhet.

“Tash e përfundova testin kombëtar. Nuk m’u duk shumë i vështirë. Tri lëndë i kemi pasur tash, Gjuhë shqipe, Matematikë dhe Gjuhë angleze”, tha Zejnullahu.

Në afatin e parë të testit të maturës kalueshmëria ka qenë 70 për qind. Në këtë afat testit i janë nënshtruar 1/3 e maturantëve.

Zëvendësministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Nehat Mustafa tha se pritjet e MASHT-it nuk janë shumë të mëdha për afatin e dytë të testiti të maturës.

“Numri më i madh i maturantëve në këtë afat janë maturantë, të cilët kanë mbaruar shkollat e mesme profesionale, kryesisht të drejtimeve teknike ose bujqësore, prandaj edhe nuk pritet ndonjë rezultat shumë i madh i maturantëve nga këto shkolla, sepse në fund të fundit edhe misioni i këtyre shkollave profesionale, nuk është projektimi ose krijimi i studentëve të ardhshëm, por është aftësimi i tyre në aspektin profesional”, u shpreh Mustafa.

Rezultatet e këtyre testeve do të publikohen më 16 shtator.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG