Ndërlidhjet

Obama kërkon autorizimin e Kongresit për ndërhyrje në Siri


Presidenti Barack Obama
Presidenti Barack Obama
Presidenti amerikan, Barack Obama, kërkoi autorizimin e Kongresit për ndërhyrje ushtarake në Siri.

Gjatë fjalimit që e mbajti në Shtëpinë e Bardhë, Obama deklaroi se SHBA-ja duhet të ndërmarrë aksion ushtarak, por është me rëndësi që të ketë debat, por edhe votim në Kongres, i cili mblidhet më 9 shtator.

Ndërkohë, SHBA-ja pohon se raportet e saj të shërbimeve inteligjente sugjerojnë se Qeveria siriane ka kryer sulme me armë kimike më 21 gusht, me ç’rast kanë vdekur 1429 persona.

Obama tha se intervenimi ushtarak në Siri do të ishte i limituar për nga kohëzgjatja, por i fuqishëm për të parandaluar sulmet e mëtutjeshme me armë kimike.

Sipas tij, intervenimi ushtarak megjithatë mund të ndodhë në çdo kohë, nesër, javën e ardhshme ose në një të ardhme të afërt.

“Nuk mund të bëhemi sikur nuk shohim atë që ndodhi në Damask, ku u vranë gra e fëmijë”, theksoi presidenti Obama.

Por, pavarësisht nga përgjigja e Kongresit, për apo kundër sulmit në Siri, Obama, si komandant suprem ka autorizim që të urdhërojë sulmin pa miratimin e Kongresit.

Në anën tjetër, presidenti rus, Vladimit Putin, deklaroi se do të ishte e pakuptimtë nëse Qeveria siriane do t’i provokonte kundërshtarët e vet me sulme kimike, derisa kërkoi nga SHBA-ja dëshmi për përdorimin e armëve kimike. .(z.p.)
XS
SM
MD
LG