Ndërlidhjet

Tenis: Federer dhe Nadal vazhduan me fitore në US Open


Roger Federer (majtas) dhe Rafael Nadal

Roger Federer (majtas) dhe Rafael Nadal

Ylli zviceran i tenisit, Roger Federer, me sukses e ka kaluar edhe një pengesë, drejt synimit të tij që për të gjashtën herë ta fitoj titullin e më të mirit në turneun US Open në Nju Jork.

Bartësi i 7-të, Federer, e mundi francezin Adrian Mannarino, në tre seta - 6:3, 6:0 dhe 6:2 – për më pak se një orë e 20 minuta, në terrenin Flushing Meadows.

Roger Federer, 32 vjeçar, është fitues i 17 turneve Grand Slam, që është rekord i llojit të vet. Deri tash në US Open ai ka fituar pesë herë radhazi, prej vitit 2004 e deri në vitin 2008, ndërsa më vonë ka shënuar rënie.

Poashtu, me sukses i ka vazhduar garat edhe ylli spanjoll, Rafael Nadal, i cili e ka mundur kroatin Ivan Dodig, në tre seta - 6:4, 6:3, 6:1.

Nëse Nadali dhe Federeri arrijnë fitore edhe në xhiron e katërt, atëherë ata do të takohen njëri me tjetrin në çerekfinale, që do të ishte takimi i tyre i parë, që ndonjëherë e kanë zhvilluar në US Open.
XS
SM
MD
LG