Ndërlidhjet

VOX

Albanologët e rinj serbë - gjuha shqipe, e veçantë


Të rinj nga Serbia që studiojnë Gjuhën shqipe në Fakultetin Filologjik në Beograd, e që ishin pjesëmarrës të Seminarit për Gjuhën, Letërsinë Kulturën Shqiptare, në Prishtinë.

Të rinj nga Serbia që studiojnë Gjuhën shqipe në Fakultetin Filologjik në Beograd, e që ishin pjesëmarrës të Seminarit për Gjuhën, Letërsinë Kulturën Shqiptare, në Prishtinë.



Gjuha shqipe është e bukur, e veçantë dhe e domosdoshme për komunikim jo vetëm me fqinjët, por e nevojshme për shumë arsye edhe në Serbi, vlerësojnë disa të albanologë të rinj nga Serbia, të cilët kanë ndjekur kurset për mësimin e gjuhës shqipe në Seminarin e 32 për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë, që ka përfunduar dy ditë më parë.

Në rubrikën e përjavshme "VOX" të Radios Evropa e Lirë, ata flasin për arsyet pse e studiojnë albanologjinë, si i kanë vijuar kurset, si dhe çfarë kanë parë dhe përjetuar në Kosovë. Të gjithë ata, kanë shfaqur dëshirën që në këtë rubrikë të flasin në gjuhën shqipe, por edhe serbe në rast vështirësish.

Maria Popoviq nga Beogradi, është në vitin e katërt të studimeve për Gjuhë shqipe në Fakultetin Filologjik në Beograd. Në Kosovë thotë se vjen për herë të parë dhe sipas saj, kurset e seminarit i kanë ndihmuar shumë për të përmirësuar të folmen në gjuhën shqipe.

“Për herë të parë jam edhe në seminar, edhe në Prishtinë. Nuk kam qenë në Prishtinë ose në Kosovë më herë. E kam përmirësuar gjuhën time dhe më duket tash po flas më mirë. Vitin e kaluar isha në Tiranë, një muaj, gjithashtu për gjuhën, për seminarin, që më ka ndihmuar në të njëjtin nivel sikurse ky seminar tash. Besoj se tash flas më mirë. Këtu komunikojmë në shqip, në serbisht, në anglisht, në bullgarisht etj”, tregon Maria.

Monika Mariq nga Mitrovica e Sremit, po ashtu studion Gjuhën shqipe dhe tashmë e ka përfunduar vitin e parë të studimeve në Beograd. Në Kosovë ajo ka ardhur për herë të parë. Ajo ende flet me vështirësi në shqip, por kurset që ka vijuar në seminar, thotë se e kanë ndihmuar mjaft.

“Unë jam këtu për herë të parë dhe mua më pëlqen këtu shumë. Në kurse unë kam mësuar shumë. Profesoresha flet vetëm shqip dhe unë i kam kuptuar të gjitha që ajo i ka thënë. Ka shumë studentë të huaj këtu dhe është mirë në mësime”, shprehet Monika.

Damian Filipoviq nga Vërshaci ka mbaruar vitin e dytë të studimeve për Gjuhë shqipe në Fakultetin Filologjik në Beograd. Në Prishtinë thotë se ka ardhur për herë të parë dhe shpreh mendimin se Seminari për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është vendi i duhur për të mësuar shqipen mirë.

“Mendoj se është shumë mirë për studentët që e mësojnë gjuhën shqipe që të vijnë këtu, sepse është një mundësi e mirë për të mësuar gjuhën dhe përmirësuar diturinë. Gjuha shqipe është një gjuhë e veçantë, indoevropiane, por nuk është nga një grup i madh, si për shembull: gjermanisht ose frëngjisht. Është e izoluar dhe nuk ka shumë njerëz në Evropë që dinë shqip”, thoë Damiani.

Danica Avramoviq është nga Jagodina dhe studion gjuhën shqipe tash e 2 vjet në Beograd. Ajo e konsideron të veçantë këtë gjuhë dhe një gjë e tillë e ka shtyrë ta studiojë atë:

“Të gjithë studiojnë në anglisht, gjermanisht dhe gjuhët e mëdha. Shqipja është një gjuhë, për mua, e veçantë. Nuk e di, është pak ndryshe. Ne në fakultet studiojmë gjuhën letrare dhe këtu (në seminar) kemi dëgjuar edhe dialektin gegë. Mendoj se kjo është mirë, sepse nuk kemi mundësi që ta dëgjojmë në këtë mënyrë të folmen e kësaj gjuhe në fakultet”.

Valentina Bahtjari, me përkatësi etnike gorane, ka lindur në Prizren, por jeton tash e shumë vite në Kragujevc. Ajo ka mbaruar vitin e tretë të studimeve për gjuhën shqipe në Beograd. Në Kosovë ka ardhur disa herë dhe thotë se e do gjuhën shqipe, prandaj edhe i ëshët qasur studimit të saj.

“Unë e dua gjuhën shqipe dhe mendoj se ajo është shumë interesante, por edhe dega e kulturës, dega e folklorit. Për shembull, dega e dialekteve, nuk është shumë e zbuluar dhe duhet dikush nga Ballkani që të merret me të dhe unë shpresoj që do të jem gjuhëtarja e gjuhës shqipe”, shpreh dëshirën e saj Valentina.

Por, si e kanë parë Prishtinën dhe Kosovën këta albanologë të rinj serbë? A kishin paragjykime? Ata kanë përgjigje të ndryshme.

Maria thotë se nuk ka ndonjë paragjykim:

“Jo, nuk kisha frikë. S’kisha paragjykim fare, sepse e studioj 4 vjet, studioj edhe për kulturën dhe historinë dhe nuk mund të kem paragjykime”.

Monika thotë se nuk kanë folur shumë me vendasit dhe nuk kanë tentuar të lidhen:

“Nuk e di, sepse nuk jemi shoqëruar shumë me banorët, por më shumë me studentët, të cilët nuk janë nga këtu. Nuk jemi lidhur”, thekson Monika.

E Damiani thotë se Prishtina i ka pëlqyer, ndonëse sipas tij ka probleme të përditshme.

“Jam këtu për herë të parë dhe më pëlqen Prishtina. Ishim në qytet shumë herë. Ishte shumë i mirë. Konvikti më pëlqen, por ndoshta kishte pak problem me ujin dhe me gjëra të vogla”, vëren Damiani.

Por, Danica vlerëson se paragjykimet ende ekzistojnë ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, por ato duhet tejkaluar:

“Ne të gjithë kemi paragjykime dhe ne duhet t’i tejkalojmë ato. Mendoj se jemi me mentalitet të njëjtë”.

Ndryshe, Valentina thotë se nuk e ka asnjë arsye që të ketë paragjykime:

“Unë nuk kam paragjykime fare, sepse, ndonëse isha shumë e vogël, por kam jetuar me njerëzit shqiptarë. Unë jam mësuar t’i dua njerëzit. Kemi folur në serbisht. Nuk kishim asnjë problem. Këtu kemi edhe miqtë shqiptarë dhe dalim me ta dhe flasim”.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG