Ndërlidhjet

Mungesë e dialogut politik në Maqedoni


Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë
Arritja e marrëveshjes për incidentin e 24 dhjetorit, nuk nënkupton edhe vendosje të dialogut të mirëfilltë mes pushtetit dhe opozitës, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike duke komentuar debatet para dhe pas nënshkrimit të dokumentit të Komisionit hetimor, që doli me disa rekomandime për incidentin në Kuvend.

Ata një konstatim të tillë e mbështesin në qëndrimet e dy partive politike. Derisa LSDM-ja thotë se raporti ia ka arritur qëllimit me konstatimin se me këtë incident shumica parlamentare ka shkelur Kushtetutën, VMRO-ja nga ana tjetër, vazhdimisht përsërit se për të janë të pranueshme vetëm rekomandimet për disa ndryshime në rregulloren mbi punën e Kuvendit, por, jo edhe vlerësimet për shkelje të Kushtetutës, madje konkluzionet e tilla ajo i ka quajtur edhe “letër tualeti të hartuar të shtabin e LSDM-së”.

“Është një kurth që edhe një kohë të gjatë Kuvendi të mos i relaksojë marrëdhëniet, por edhe një kohë të gjatë Kuvendi të merret përsëri me vetveten ose Komisioni të merret me vetveten. Fakti që anëtarët e VMRO-së pas nënshkrimit, konkluzionet e miratuara njëherë i quajtën letër tualeti, kurse herën tjetër se gjoja aty kanë nënshkruar se pajtohen me një pjesë të vlerësimit dhe nuk pajtohen me pjesën tjetër të vlerësimit, që do të thotë se në një mënyrë e bëjnë jo valide atë marrëveshje”, vlerëson analisti Alajdin Demiri.

Ndërkohë, Temelko Ristevski, profesor universitar, thotë se partitë mund të vazhdojnë mosmarrëveshjet mes tyre, por, kur bëhet fjalë për këtë raport, ato patjetër që duhet të zbatojnë rekomandimet e tij, për faktin se në këtë rast është i inkuadruar faktori ndërkombëtar dhe nga i njëjti varet edhe procesi integrues.

“Ky raport do të zbatohet para së gjithash në pjesën që ka të bëjë me rregulloren e Kuvendit, duhet të zbatohet pasi këtë e imponon nevoja për shumë arsye, e para për shkak të presioneve të Bashkësisë Evropiane pasi ajo që ka ndodhur më 24 dhjetor duhet të ketë një epilog. Një shtet që pretendon anëtarësimin në familjen e shteteve demokratike, nuk guxon dhe nuk lejohet të bëjë gjëra të tilla që pengojnë proceset euro-integruese”, thotë Ristevski.

Nga ana tjetër, dy blloqet politike së fundi kanë filluar përplasjet për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Gruevski si zgjidhje të krizës me komisionin hetimor që nuk mund të dilte me raportin përfundimtar ofroi zgjedhje të parakohshme, por kjo u kushtëzua nga opozita me pastrimin e listës zgjedhore, dhe konfrontimet mes tyre vazhdojnë.

Analisti Demiri thotë se kjo është edhe një dëshmi se interes parësor i partive nuk është e ardhmja e vendit, por interesat partiake. Sipas tij, kjo në veçanti vlen për pushtetin aktual.

“Nuk mendoj se kjo qeveri nuk ka kapacitete të zgjidhë probleme, mirëpo do të ketë kapacitete të jetojë me probleme dhe t'i akumulojë ato, e ndoshta të shtojë edhe ndonjë problem të ri me qëllim që të harxhohet mandati. Kryeministri Gruevski dëshmoi se kapacitetet e tij janë gjithmonë kërcënuese. Ai edhe një herë u kërcënua me zgjedhje të parakohshme me pretekst se, po, ne jemi ata që do t'i fitojmë këto zgjedhje dhe ne mund t'i shpallim ato kur të duam dhe të fitojmë edhe një mandat”, thekson Demiri.

Tito Petkovski, një nga liderët e frontit opozitar, i cili është aktiv në politik që para vendosjes së sistemit demokratik, thotë se periudha e deritashme e pluralizimit, ka dëshmuar se në Maqedoni thuajse mungon dialogu politik edhe për gjërat më elementare, për të cilat ka pasur ndonjë zgjidhje parciale vetëm pas ndërhyrjes nga jashtë.

E gjithë kjo, sipas Petkovskit, flet qartë se Maqedonia ende ndodhet në sistemin e kaluar njëpartiak, por vetëm me aktorë të tjerë.

“Te ne, përfundimisht është e qartë se mungon kultura politike. Nuk kemi kulturë të komunikimit, ne nuk respektohemi mes vete. Te ne ekziston një parti, një lider dhe një e vërtetë. Kështu veprojnë të gjitha partitë, madje edhe ato të sapoformuarat, të cilat, vetëm sa forcojnë këtë koncept të gabuar në momentin kur vijnë në pushtet”, shprehet Petkovski.
XS
SM
MD
LG