Ndërlidhjet

logo-print

Reagime të kujdesshme ndaj fjalimit të Obamës për Sirinë

  • RFE /RL

Presidenti Barack Obama

Presidenti Barack Obama

Pas deklaratës së presidentit amerikan, Barack Obama, se do të kërkojë miratim nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara për sulme ushtarake kundër regjimit të presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, nuk ka pasur shumë reagime zyrtare ndërkombëtare.

Kryeministri i Sirisë, Wael al-Halqi, tha se ushtria e Sirisë është “plotësisht e përgatitur” për përgjigje ndaj çfarëdo aksioni të Shteteve të Bashkuara.

Një gazetë siriane e udhëhequr nga shteti, të dielën në editorialin e saj ka shkruar se vendimi i Obamës shënon “fillimin e një tërheqjeje historike amerikane”.

Shefi i Gardës Revolucionare të Iranit, Mohammad Ali Jafari, tha se është “iluzion” të mendohet se “intervenimi ushtarak do të jetë i kufizuar” vetëm brenda Sirisë.

Zëvendëskomandanti i Komandës së Përbashkët Lindore të Ushtrisë së Lirë të Sirisë në opozitë, Muhammad Aboud, e ka mirëpritur mbështetjen e presidentit Obama për intervenim ushtarak.

“Ne kemi pritur për këtë vendim për një kohë shumë të gjatë. Megjithëqë është dashur kohë, Shtetet e Bashkuara përfundimisht e morën vendimin. Populli i Sirisë dhe luftëtarët e lirisë janë shumë të lumtur të dëgjojnë se presidenti Obama ka ndërmarrë një vendim të tillë. Megjithatë, ne kuptuam se për këtë çështje do të debatohet në Kongres”, tha Aboud.

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, tha se qeveria e tij do ta ndjekë debatin në Kongres për së afërmi.

“Besoj se shpallja e presidentit Obama është shprehje e gatishmërisë së tij të fuqishme për këtë çështje. Ne do ta monitorojmë me kujdes atë që ndodh në Kongresin amerikan dhe do të koordinohemi me komunitetin ndërkombëtar për të tubuar dhe analizuar informacionet në dispozicion, me shpresë se situata do të përmirësohet deri diku”, theksoi kryeministri Abe.

Në Moskë, kryesuesi i Komitetit për marrëdhënie ndërkombëtare i Dumës ruse, Aleksei Pushkov, shkroi në Twitter se Obama po i kthehet Kongresit për “t’i dhënë
luftës së paku njëfarë legjitimiteti”.

Në fjalimin e tij në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, presidenti Barack Obama, e ka akuzuar qeverinë e Bashar al-Asssadit në Siri se ka përdorur armatim kimik, më 21 gusht, me ç’rast janë vrarë më se 1400 civilë.

“Të mos gabohemi. Kjo ka implikime përtej luftës kimike. Nëse ne nuk e zbatojmë përgjegjësinë për këtë akt të neveritshëm, çka do të thuhet për vendosmërinë tonë që t'u dalim para atyre që nuk i përfillin rregullat fundamentale ndërkombëtare: qeveritë që do të vendosin të prodhojnë armatim atomik, terroristët që do t’i përhapin armatimet biologjike, ushtritë do të kryejnë gjenocid. Ne nuk mund t’i rrisim fëmijët tanë në botën ku ne nuk i mbajmë gjërat që i themi, marrëveshjet që i nënshkruajmë, vlerat që na definojnë ne”, deklaroi presidenti Barack Obama.

Shtëpia e Bardhë tashmë e ka dërguar propozimin e masave në Kongres, nga i cili kërkohet autorizimi formal për presidentin Obama për përdorim të forcës ushtarake për “frenimin, shkatërrimin, parandalimin dhe degradimin” e potencialit për sulme të mëtejshme me armatim kimik.

Një delegacion parlamentar i Iranit ka arritur në Siri dhe e ka vizituar spitalin me viktimat e sulmit të dyshuar kimik, për të cilin qeveria e Sirisë i fajëson forcat kryengritëse.

Kryeministri britanik, David Cameron, dhe presidenti francez, Francois Hollande, e kanë mirëpritur vendimin e presidentit Obama, për të kërkuar miratim nga Kongresi.

Kryeministri Cameron, javën e kaluar, nuk e mori miratimin për intervenim ushtarak në Parlamentin e Britanisë.

Nga ana tjetër, Franca ishte njëri nga mbështetësit më të mëdhenj të intervenimit dhe ka sugjeruar se mund t’i bashkohet çfarëdo operacioni ushtarak.

Por, Rusia dhe Kina e kanë kundërshtuar intervenimin ushtarak në Siri. Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin, ka thënë se Obama nuk ka dhënë prova se regjimi i Sirisë ka përdorur armatim kimik.(f.bujupi)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG