Ndërlidhjet

Merkel - Steinbruck, duel pa fitues të qartë


 Merkel - Steinbruck, duel pa fitues të qartë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:22 0:00

Merkel - Steinbruck, duel pa fitues të qartë

Tri javë para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani, kancelarja Angela Merkel, dhe rivali i saj socialdemokrat, Peer Steinbruck, u paraqitën në debatin e parë dhe të vetëm televiziv, por duket se nuk ka pasur fitues të qartë. Zgjedhjet mbahen më 22 shtator.

Në një hulumtim të opinionit për rrjetin televiziv RTL, nga instituti Forsa, del se fituese e debatit ishte Angela Merkel, me një epërsi të vogël - 44:43%.

Por, hulumtimi i rrjetit televiziv publik, ARD, e paraqet Peer Steinbruckun se ishte më bindës, me një dallim më të madh – 49:44%.

E përditshmja Bild, për të cilën thuhet se është gazetë që shitet më së shumti në Gjermani, në një koment në faqen e saj në Internet, ka theksuar se të dy kandidatët dukeshin mirë, duke vlerësuar se “Steinbruck ishte i fuqishëm, ndërsa Merkel sovrane”. Gazeta tjetër, Spiegel, e vlerëson debatin në stilin futbollistik, duke thënë se rezultati ishte “zero me zero”.

Kancelarja Merkel, lidere e bllokut Demokristian, në mënyrë të qetë i ka theksuar të arriturat e saj në udhëheqjen e ekonomisë më të madhe në Evropë, në mënyrë të sigurtë nëpër krizën e eurozonës.

Nga ana tjetër, Peer Steinbruck, nga Partia Socialdemokrate në opozitë, e ka paraqitur vizionin e tij për një Gjermani më tepër sociale dhe për më tepër solidaritet brenda Evropës.

Njëra nga temat që u diskutua në këtë debat ishte edhe kriza në Greqi.

Zonja Merkel e ka mbrojtur qëndrimin e saj të ashpër ndaj Athinës dhe ekonomive të tjera të buta të vendeve të eurozonës, duke thënë se ishte e rëndësishme që të mbahej presioni për reforma.

Por, Steinbruck ka kërkuar përpjekje më të mëdha për stimulimin e ekonomive me probleme, si në Greqi ashtu edhe në vendet e tjera.

“Pikë vendimtare është se me shpalljen e pakos së tretë për Greqinë, ne ndoshta duhet të pranojmë se strategjia e krizës deri tash, e cila kryesisht ishte e paraqitur nga kjo qeveri, ka dështuar për shkak se këto shtete i ka sjellë në një situatë ku problemet janë përsëritur dhe gjërat kanë shkuar prapa. Ajo që mungon është një program strukturor dhe impulsi për rritje. Ajo që mungon është veçanërisht lufta kundër papunësisë së të rinjve, megjithëqë zonja Merkel, po ashtu, ishte pajtuar për t'u dhënë garantime të rinjve në shkurt të këtij viti në Këshillin Evropian. Pyetja është se çka ka ndodhur me këtë”, tha Steinbruck.

Të dy kandidatët diskutuan edhe për situatën aktuale globale, e veçanërisht për Sirinë.

Merkel dhe Steinbruck thanë se nuk do të dërgojnë forca për intervenimin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në këtë vend.

Zonja Merkel theksoi se për një aksion të tillë do të ishte i nevojshëm një mandat ndërkombëtar.

“Jo, Gjermania nuk do të marrë pjesë. Gjermania do të marrë pjesë nëse ekziston mandati i NATO-s, i Kombeve të Bashkuara ose mandati evropian. Ne po përpiqemi të bëjmë çdo gjë të mundur – dhe unë jam e lumtur që ne i kemi disa ditë – për ta realizuar një procedurë në Kombet e Bashkuara. Qartaz, unë do të zhvilloj shumë takime, ashtu siç kam biseduar me telefon me presidentin e Rusisë, në margjina të samitit G20”, tha Angela Merkel.

Blloku Demokristian i zonjës Merkel po udhëheq në hulumtimet e opinionit me më tepër se 40%, ndërsa Socialdemokratët gjenden në vendin e dytë, me më pak se 25%.

Por, nuk është e qartë nëse partneri aktual i kolicionit të kancelares Merkel, partia Demokratët e Lirë, do të jetë në gjendje të fitoj vota të mjaftueshme për ta mbajtur gjendjen aktuale. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG