Ndërlidhjet

Moska nuk iu bindet provave të SHBA-së për Sirinë

  • RFE /RL

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se Moska nuk është e bindur në provat e Shteteve të Bashkuara, se Qeveria e preisdentit të Sirisë, Bashar al-Assad, ka përdorur armë kimike.

Në një fjalim para studentëve të Institutit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Moskë, Lavrov ka thënë se provat e paraqitura nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca lënë “dyshime serioze”.

Ka shumë mospërputhje. Shumë dyshime”, ka thënë ai.

Ky është padyshim një rast i asaj që ne e cilësojmë si standard të dyfishtë. Është rast i qartë i personaliteteve; një antipati personale drejt një udhëheqësi autoritar çon në idenë se ai duhet rrëzuar me çdo mjet”, ka deklaruar Lavrov.

Ai ka thënë se nuk mendon se opozita siriane do të jetë më e hapur për zgjidhje politike në rast të ndërhyrjes së huaj ushtarake në Siri.

“Nëse Shtetet e Bashkuara ndërmarrin aksione – për keqardhje të madhe për të gjithë ne – pavarësisht se çfarë kanë thënë për konferencën e paqes për Sirinë, perspektivat për mbajtjen e këtij forumi do të bllokohen për një kohë të gjatë, nëse jo përgjithmonë”, ka thënë Lavrov.

Ministri i Jashtëm rus po ashtu i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të caktojë datën e një konference për krijimin e një zone në Lindjen e Mesme, e cila do të ishte e lirë nga armët e shkatërrimit në masë.

Ai ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se kanë bllokuar një tubim të tillë dhe ka thënë se Siria është një nga nismëtarët e propozimit.

Më 31 gusht, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka shfaqur bindjen se Qeveria e Assadit ka përdorur armë kimike për të vrarë më shumë se 1,400 njerëz, më 21 gusht, në rrethinë të Damaskut.

Të dielën, sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, ka thënë se Uashingtoni ka prova që tregojnë se në sulm është përdorur gazi sarin.

Në programin televiziv “Meet the Press”, Kerry ka thënë se provat i janë paraqitur edhe Moskës.

Ministria e Jashtme e Kinës po ashtu ka thënë se provat e Shteteve të Bashkuara i janë prezantuar edhe Pekinit, por ka paralajmëruar se nuk duhet nxituar me paragjykime para se inspekorët e OKB-së të publikojnë raportin e tyre.

Presidenti Obama është duke kërkuar autorizimin e Kongresit amerikan për sulme të mundshme ushtarake kundër caqeve të Qeverisë siriane.

Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka bërë thirrje Uashingtonit që të sjellë provat e tij para Kombeve të Bashkuara.

Qeveria siriane ka hedhur poshtë akuzat për përdorimin e armëve kimike, duke fajësuar rebelët e opozitës. Të hënën, Damasku i ka dërguar letër sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, duke kërkuar nga ai që të parandalojë “çdo aggresion kundër Sirisë” dhe të vazhdojë të bëjë thirrje për zgjidhje diplomatike të konfliktit.

Më 1 shtator, ministrat e Jashtëm të Ligës Arabe kanë miratuar një rezolutë, e cila u bën thirrje Kombeve të Bashkuara dhe komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrin “masat parandaluese dhe të nevojshme” kundër atyre që janë përgjegjës për përdorimin e armëve kimike në Siri.

Rezoluta po ashtu hedh përgjegjësinë e plotë për incidentin e 21 gushtit mbi Qeverinë siriane.(v.tela)
XS
SM
MD
LG