Ndërlidhjet

logo-print
Takimi i radhës ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, që pritet të mbahet më 8 shtator në Bruksel, është paralajmëruar se mund të sjellë përparime konkrete në temat që kanë të bëjnë me telekomunikacionin dhe harmonizimin e çështjeve kontestuese rreth daljes së serbeve në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehur besimin e tij se në takimin e 8 shtatorit në Bruksel do të arrihen marrëveshje jo vetëm për telekomunikacionin por edhe temën tjetër, të cilësuar si më problematike në dialog, atë për energjinë.

Kurse ka paralajmëruar edhe tejkalimin e mosmarrëveshjeve në lidhje me përdorimin e simboleve të shtetit të Kosovës në fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Beogradi insiston që për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, fletëvotimet duhet të mos përmbajnë ndonjë simbol të shtetit të Kosovës, përderisa Thaçi mendon se kjo punë i takon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Kemi pajtueshmëri politike me gjithë spektrin politik që jemi takuar dhe kemi biseduar. Do të thotë do të jetë një zgjidhje kushtetuese e ligjore”, ka thënë Thaçi.

Paraprakisht ai kishte paralajmëruar që kjo zgjidhje mund të mos jetë shumë atraktive politikisht, por e pranueshme për të gjithë.

Në anën tjetër, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq u ka thënë medieve në Beograd se neutraliteti i Marrëveshjes së 19 prillit, do të jetë i domosdoshëm për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet lokale.

Ndërkaq nga ana e tij, ai është shprehur i gatshëm të zbatojë marrëveshjen me Prishtinën.

“Jemi të përcaktuar fuqishëm për paqe e stabilitet në rajon, përfshi edhe zbatimin e Marrëveshjes me Prishtinën të arritur në Bruksel”, ka thënë Daçiq, ndërsa ka komentuar rrugëtimin e Serbisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Takimi i radhës Thaçi – Daçiq në Bruksel zhvillohet në kohën kur komuniteti ndërkombëtar po kërkon një qartësi të palëve në lidhje me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale dhe pjesëmarrjen e serbëve, sidomos atyre të komunave veriore.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga përmes një komunikate me shkrim ka inkurajuar KQZ-në që të gjejë një zgjidhje gjithëpërfshirëse, të ligjshme dhe të pranueshme për të gjithë.

Po ashtu, edhe lideri opozitar, Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka inkurajuar gjetjen e një zgjidhje unike për fletëvotimet për gjithë territorin e Kosovës dhe e cila do të ishte në harmoni me ligjet në fuqi.

“Duhet që çështja e logos të jetë unike për tërë vendin dhe të mos ketë diferenca në fletëvotime dhe diferenca në dokumentin tjetër zgjedhor mes komunave në veri dhe komunave tjera të Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Ndërkohë, edhe qytetarët po i përcjellin me vëmendje bisedimet që kryeministrat Thaçi e Daçiq po zhvillojnë në Bruksel me ndërmjetësim të shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.

Valon Kalaja një qytetar nga Prishtina beson se Thaçi e Daçiq tashmë kanë gjetur kompromisin.

Sipas tij, rezultati i dialogut do të jetë që Kosova të heqë simbolet e shtetit nga fletëvotimet, kurse Serbia pajtohet për kodin ndërkombëtar të telefonisë për Kosovën.

“Mendoj që kryeministri Thaçi tashmë e ka arritur konsensusin politik brenda dhe më 8 shtator do të jetë i gatshëm të ofroj heqjen e simboleve të shtetit nga fletëvotimet në kompensim të marrjes së marrëveshjes për telekom dhe energji”, ka thënë Kalaja.

Ndërkaq, Fisnik Ramadani, një qytetar nga Suhareka, ka thënë se pret që kryeministrat të gjejnë një zgjidhje e cila do të ishte e pranueshme si për shumicën ashtu edhe pakicën serbe.

Nuk pritet ndoshta të ketë një vendim që do t'i kënaqte të gjitha palët, por të shohim, më interesante ndoshta mbetet puna e këtyre logove që po përflitet shumë kohët e fundit, por shpresoj që të ketë një vendim që të paktën nuk dëmton kushtetutën dhe rendin ligjor”, ka deklaruar Ramadani.

Dialogu Prishtinë – Beograd i ndërmjetësuar nga baronesha Catherine Ashton, ka rezultuar me Marrëveshjen e 19 prillit.

Përmes këtij dialogu, Brukseli synon të krijojë një bashkëpunim dhe normalitet në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë.

Kurse nga aspekti i brendshëm, përmes këtij dialogu po synohet edhe integrimi i komunitetit serb nga pjesa veriore, të cilit i është premtuar edhe një shkallë e lartë e vetëqeverisjes lokale që do ta realizonte pas zgjedhjeve përmes organeve lokale.

Sidoqoftë, pritet që të shihet nëse më 8 shtator Prishtina dhe Beogradi do të pajtohen përfundimisht për fletëvotimet dhe aspektet tjera që kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG