Ndërlidhjet

Francë: Siria ka dorë në sulmin “masiv” kimik


Siri...
Siri...
Franca thotë se sulmi i dyshuar kimik afër kryeqytetit të Sirisë, Damask, ka mundur të kryhet vetëm nga qeveria e Sirisë.

Në një raport të inteligjencës së Francës thuhet se në sulmin më 21 gusht, ishte përfshirë “përdorim masiv i agjentëve kimikë” dhe se së paku 281 vdekje mund t’i atribuohen këtij sulmi.

Në Uashington, senatori amerikan, John McCain, u tha reporterëve se presidenti Barack Obama, duhet të bëjë rast të fuqishëm për ta sulmuar Sirinë e Bashar al-Assadit, nëse dëshiron ta fitojë mbështetjen e Kongresit për operacion.

Ai theksoi:

Nëse Kongresi e refuzon rezolutën si kjo, pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, tashmë është shprehur i përkushtuar për aksion, atëherë konsekuencat do të jenë katastrofike, në atë që kredibiliteti i këtij vendit me miq dhe armiq, do të dëmtohet dhe kjo nuk do të ketë implikime vetëm për këtë presidencë, por edhe për presidencat e ardhshme”, tha John McCain.

Këto komente ai i bëri mbrëmë vonë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, pas takimit me presidentin Obama.

Zoti Obama e ka përjashtuar çfarëdo intervenimi në Siri, derisa Kongresi i Shteteve të Bashkuara, që është në pushim deri më 9 shtator, të votojë lidhur me këtë çështje.

Megjithatë, debati për t’i dhënë Obamës autorizimin, pritet të fillojë këtë javë, së pari në Komitetin për Marrëdhëniet e Jashtme të Senatit.

Për këtë çështje do të dëshmojnë sekretari amerikan i mbrojtjes, Chuck Hagel, dhe sekretari amerikan i shtetit, John Kerry.

Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, përsëri i ka hedhur poshtë akuzat se ushtria e tij ka kryer sulm kimik.

Në një intervistë të publikuar në të përditshmen franceze Le Figaro, Assadi tha se Lindja e Mesme është fuqi baruti dhe se sulmi perëndimor në Siri mund të shkaktojë kaos në gjithë rajonin.

Ai, po ashtu, tha se Franca do të ketë “pasoja” nëse merr pjesë në aksionin ushtarak.

Më herët, në një konferencë për media në Bruksel, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka bërë thirrje për përgjigje “të ashpër” ndaj përdorimit të armatimit kimik në Siri.

Ramusseni ka thënë se aksioni ushtarak “do të ishte shumë i shkurtër, i ashpër dhe i përshtatur”.

“Do të dërgohej një sinjal, do të thosha, shumë i rrezikshëm te diktatorët në gjithë botën, nëse ne qëndrojmë anash dhe nuk reagojmë. Pyetja është se si dhe kur të reagojmë dhe në demokraci ju duhet t’i respektoni dhe pranoni diskutimet dhe procedurat demokratike, por është pozicion im i fuqishëm se komuniteti ndërkombëtar duhet të reagoj në situatë të këtillë”, tha Rasmussen. (f. b.)
XS
SM
MD
LG