Ndërlidhjet

NYT: NATO duhet t’i ndihmojë Obamës në Siri


Presidenti Obama ka vendosur të kërkojë mbështetje nga Kongresi, në lidhje me Sirinë.

NATO duhet të jetë pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për t’iu përgjigjur krizës, duke nisur menjëherë me sulme ndëshkuese për përdorimin e armëve kimike nga regjimi i presidentit Bashar al-Assad. Presidenti, sekretarët e shtetit dhe të mbrojtjes, si dhe shefi i shtabit të përgjithshëm duhet t’iu drejtohen homologëve të tyre për të siguruar aksionin e NATO-s.

Kështu nis shkrimin për gazetën “New York Times” James Stavridis, admiral në pension i Marinës së Shteteve të Bashkuara.

Aksioni i tillë, sipas tij, mund të justifikohet me vetëmbrojtje, për shkak të kërcënimit që i kanoset Turqisë - anëtare e NATO-s, e cila mbështet thirrjen e Obamës për ndërhyrje, pastaj për shkak të kërcënimit nga armët e shkatërrimit në masë dhe për shkak të “përgjegjësië për të mbrojtur”. NATO-ja nuk ka lëvizur përpara deri më tash, për shkak të mungesës së një rezolute nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, e cila autorizon aksionin kundër Sirisë, por që nuk është e nevojshme sipas rregullave të Aleancës. NATO ka vepruar pa miratim të tillë në Kosovë, më 1999, kujton Stavridis.

Përkundër mbështetjes jo të madhe për një aksion të ngjashëm, sidomos pas votimit kundër në Parlamentin britanik, një mision i tillë është thelbi i rolit të NATO-s në shekullin 21. Përderisa Aleanca ka pasur rezolutë të Këshillit të Sigurimit për të ndërhyrë në Libi më 2011, në Kosovë ka vepruar pa të. Ky mund të jetë edhe rasti i Sirisë, me një shtytje të madhe nga Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Turqia, të cilat janë zotuar se do të mbështesin intervenimin në Siri. Sikurse edhe në Libi, jo çdo vend duhet të sigurojë forca.

Stavridis kujton se kryengritja që ka përmbysur kolonelin Muammar Qaddafi në Libi, ka dërguar migrantët përmes Mesdheut në Evropë, por thotë se kriza në Siri ka ndikim edhe më të madh tek anëtarët e NATO-s, pasi ka një kufi prej më shumë se 400 miljesh me Turqinë.

Gjatë muajve të fundit të mi si komandant suprem i operacioneve, para se të pensionohesha në maj, ne kemi vendosur bateritë Patriot në kufirin Turqi-Siri, për të siguruar mbrojtje nga raketat aksidentale ose të qëllimshme nga regjimi i Assadit, thotë Stavridis. Sipas Kombeve të Bashkuara, rreth 450,000 refugjatë sirianë janë në Turqi, ndërsa të tjerët kalojnë detin për në Greqi dhe vende të tjera të NATO-s.

Aleanca ka vëzhguar nga afër situatën dhe ka qëndruar larg ndërhyrjes, në mungesë të rezolutës së Këshillit të Sigurimit, ndonëse sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka thënë të hënën se është i bindur jo vetëm për sulmin kimik, por edhe për përgjegjësinë e regjimit sirian në lidhje me të.

Ndoshta ngjashmëria më e afërt me Sirinë nuk është Libia e vitit 2011, por Ballkani në vitet 1990. Në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, situata në terren ka qenë kaotike; mbi 100,000 njerëz janë vrarë dhe miliona të tjerë janë dëbuar përtej kufijve. Ngjante shumë me Sirinë, edhe pse pa armë të shkatërrimit në masë.

Në Bosnjë ka pasur një forcë ndërkombëtare dhe një rezolutë të Këshillit të Sigurimit. Kjo do të ishte ideale. Në Kosovë, në anën tjetër, mbeten kundërthënie për rolin e NATO-s pa një rezolutë të tillë. Por, rezultati ka qenë përgjithësisht i mirë – rajoni pak a shumë në paqe dhe një Kosovë e pavarur, e njohur nga pothuajse 100 shtete, shkruan Stavridis.

Konsensusi për veprimin e NATO-s është i mundur pa Këshillin e Sigurimit, ku Rusia dhe Kina, të cilat kanë fuqinë e vetos, nuk pranojnë të mbështesin aksionet kundër Sirisë. Për momentin, Franca dhe Shtetet e Bashkuara favorizojnë intervenimin; Gjermania është kundër dhe Britania nuk do të ofrojë mbështetje ushtarake. Kjo i ngjan më shumë situatës me të cilën është përballur NATO-ja në rastin e Libisë, ku Britania dhe Franca kanë qenë në ballë të ndërhyrjes, Polonia dhe Gjermania janë tërhequr dhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë diku në mes. Megjithatë, NATO-ja shpejt ka arritur konsensusin për ndërhyrje dhe ka lëvizur përpara.

Stavridis thotë se presidenti Obama duhet të bëjë përpjekje të fuqishme për përfshirjen e NATO-s. Argumentet janë të njëjta dhe ndikimi i Amerikës mbetet i fuqishëm në Bruksel, ku NATO ka selinë.

Qeveria amerikane ka konstatuar me “besim të lartë” se 1,429 sirianë, përfshirë së paku 426 fëmijë, janë vrarë nga kemikatet toksike. Cili është pragu për veprim? NATO-ja duhet të jetë pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për të dënuar ashpër regjimin e Assadit, i cili paraqet rrezik të qartë dhe të pranishëm për Aleancën. Shtetet e Bashkuara duhet ta shpiejnë NATO-n në veprim, shkruan James Stavridis për gazetën amerikane “New York Times”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG