Ndërlidhjet

logo-print

Për dhe kundër fletëvotimeve të reja


Pamje nga Prishtina

Pamje nga Prishtina

Kërkesa e kryeministri të Serbisë Ivica Daçiq që në fletëvotimet e zgjedhjeve të 3 nëntorit të mos jetë stema Kosovës u realizua, por tash mbetet të shihet se a do të mund ai t’i bindë serbët e veriut që të marrin pjesë në këto zgjedhje.

Largimi i stemës së Republikës së Kosovës, nga fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit nga zyrtarët e partisë në pushtet shihet si një kontribut për pjesëmarrjen në zgjedhje i të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Anëtari i Komisionit Qendror të zgjedhjeve Ilir Gashi nga Partia Demokratike e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë, se një veprimi i tillë është marrë nga KQZ-ja në mënyrë që Kosova kësaj radhe të mbajë zgjedhjet në gjithë territorin e saj.

“Qëllimi i vetëm është që Kosova kësaj radhe të mbajë zgjedhje në tërë territorin e saj, me pjesëmarrjen e të gjithë qytetareve të të gjitha etnive dhe të dëshmojë edhe një herë se territori i Republikës së Kosovës është unik dhe i pandarë”, tha Gashi.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj deri sa është shprehur optimist se serbët e veriut të Kosovës do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, ka deklaruar se AAK-ja mbështet vendimet e Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Fletëvotimi në dukje ka simbolet e KQZ-së që është institucion i Republikës së Kosovës ku ka edhe hartën në logon e vet. Ne i përkrahim këto vendime të KQZ-së që qojnë në drejtim të mbajtjes së zgjedhjeve në gjithë vendin”, tha Haradinaj në një konferencë për media pas një takimi që ka pasur me kryetarin e Ulqinit, Nazif Cungu.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve një ditë më parë vendosi që në fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit të jetë vetëm logoja e KQZ-së dhe duke larguar stemën e Republikës së Kosovës.

Përfaqësuesi i Vetëvendosjes në KQZ, Adnan Rrustemi, ka thënë se vendimi i KQZ-së për të hequr stemën e Republikës së Kosovës nga fletëvotimet është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Fletëvotimi do të duket plotësisht ashtu siç është kërkuar dhe propozuar nga kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq para disa ditësh. Ne do ta verifikojmë dhe do ta vlerësojmë me profesionalizëm këtë vendim të KQZ-së. Duke qenë të sigurt se ky vendim është i paligjshëm dhe antikushtetues, do ta adresojmë shumë shpejt në instancat gjyqësore, natyrisht duke mos përjashtuar edhe Gjykatën Kushtetuese për ta kundërshtuar një vendim të tillë”, ka thënë Rrustemi për Radion Evropa e Lirë.

Nga ana tjetër, njeri nga përfaqësuesit e serbëve të veriut Marko Jakshiq tha për Radion Evropa e Lirë se heqja e simboleve shtetërore nga fletëvotimet nuk është diçka tjetër veç një mashtrim, duke pasur parasysh, siç tha ai, se zgjedhjet e lokale janë shpallur nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, jo nga Kuvendit i Serbisë.

Kjo nuk do të ndryshojë mendimet tona. Ne mendojmë se ky është një mashtrim. Ne e dimë se këto zgjedhje janë shpallur jo nga Kuvendi i Serbisë por nga Atifete Jahjaga. Ne, nuk jemi naivë dhe të mos kuptojmë këtë situatë. Mendoj se shumica e qytetarëve nuk do të dalin në zgjedhje”, tha Jakshiq.

Ngjashëm shprehen edhe banorët serbë të veriut të Kosovës.

Ata thonë se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet që i organizojnë institucionet e Kosovës.

Aleksandër Mijatoviq është njëri nga qytetarët që është kundër daljes në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Nuk kemi besim në Institucionet e Kosovës, por as nuk ju besojmë politikanëve serbë të cilët bëjnë thirrje për dalje në zgjedhje. Eshtë e drejta ime qytetare dhe unë si qytetar kam vendosur mos të dal në zgjedhje”, tha Aleksander Mijatoviq.

Kurse, Jellena Nikoliq shprehet:

“Nuk do të dal në zgjedhje sepse nuk i shoh si legjitime dhe legale. Në të vetmet zgjedhje që dal për të votuar janë ato që shpallen nga Serbia”, u shpreh Nikoliq.

Vendimi i KQZ-së është mirëpritur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë e po ashtu edhe presidentja Atifete Jahjaga ka inkurajuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që, në përputhje me mandatin e tij, të gjejë zgjidhje ligjore që respekton kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës dhe siguron pjesëmarrje gjithëpërfshirëse në zgjedhjet komunale të 3 nëntorit.

Por, qytetarët shqiptar kanë kundërshtuar largimin e stemës nga fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Halil Fetahu kritikon KQZ-në për vendimin e fundit rreth çështjes së stemës.

“Absolutisht është e padrejtë dhe me çfarë të drejte është marrë një vendim i tillë. Pse të largohen simbolet tona vetëm për hatër të Serbisë”, tha Fetahu.

Kurse, Sadik Kurteshi thotë se jo vetëm shqiptarët duhet të bëjnë kompromise, sipas tij ata që duan të inkuadrohen në jetën institucionale në Kosovës duhet të bëjnë kompromise.

“Pikëpyetje e madhe është se sa shqiptar dalin tash në votime sherri i asaj, po kushtet janë jashtë normales dhe janë të jashtëzakonshme. Një pjesë e shtetit nuk kontrollohet. Sipas zotit Ramush Haradninaj, duhet me gëlltiti, me gëlltiti po por, çka nëse ajo që e ke gëlltiti të mbetet në fyt. Për të gëlltitur duhet të gëlltitin ata jo ne”, tha Kureshi.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG