Ndërlidhjet

Kosovë: Dorëzohen kopje të reja të librave amzë


Kosovo - logo of EULEX (EU mission in Kosovo), undated

Kosovo - logo of EULEX (EU mission in Kosovo), undated

808 kopje të librave amzë të marra nga origjinalet që janë në Serbi janë dorëzuar sot në Agjencinë për Regjistrim Civil nga EULEX-i.

Misioni evropian për sundim të ligjit ka njoftuar se “u dorëzuan dosjet e plota për dy komuna, Novobërdën (67 libra amzë), Ferizajn (741 libra amzë), të cilat përbëhen nga kopjet e vërtetuara të librave origjinalë amzë civilë dhe fetarë me të dhënat për lindjet, martesat dhe vdekjet.”.

“Këto kopje janë kryer dhe janë vërtetuar gjatë verës si pjesë e një projekti të financuar nga BE-ja me bazë në Nish, në të cilin është përfshirë EULEX-i, Zyra e BE-së në Kosovë/PSBE, Këshilli Danez për Refugjatë si partner zbatues dhe ekipet nga Kosova dhe nga Serbia”, thuhet më tej në komunikatën e EULEX-it.

Misioni evropian gjithashtu njofton se “vlerësohet se janë gjithsej rreth 12 000 libra amzë në Serbi që do të thotë që projekti tashmë e ka kaluar në mënyrë të suksesshme gjysmën e rrugës deri te arritja e objektivit. Procesi i vërtetimit të kopjeve të librave origjinalë amzë është pjesë e marrëveshjes së dialogut të lehtësuar nga BE-ja të arritur më 2 korrik 2011 ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ky projekt i financuar nga Zyra e BE-së është faza e parë e themelimit të një Regjistri Civil plotësisht të besueshëm dhe të qëndrueshëm në Kosovë, ashtu siç parashihet në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.”
XS
SM
MD
LG