Ndërlidhjet

logo-print
Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për heqjen e logos së shtetit të Kosovës nga fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, nga ekspert juridik, cilësohet si vendim politik dhe jo kushtetues.

Sipas tyre, vendimi i KQZ-së nuk është mbështetur në ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës sa është mbështetur në aspektet politike të Marrëveshjes së 19 prillit të arritur në dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, profesori Riza Smaka vlerëson se zgjedhjet janë çështje shtetërore dhe se vendimi i KQZ-së nuk është në përputhje me kushtetutën. Heqja e logos së shtetit nga fletëvotimet, nënvizon Smaka erdhi si pasojë e presioneve të Beogradit i cili kishte vënë kusht daljen e serbëve në veri të Kosovës në zgjedhje me heqjen e simboleve.

Ai i cilëson si hipokrizi politike edhe deklaratat e udhëheqësve të institucioneve të cilët i kishin lënë vendimin për logon KQZ-së, përderisa një çështje e tillë ishte pjesë e Marrëveshjes së Brukselit.

Në parim nuk është dhe as që mund të jetë në përputhje me Kushtetutën sepse zgjedhjet janë çështje shtetërore, domethënë nacionale që quhen me terminologjinë euroatlantike. KQZ-ja i organizon dhe i ndërmerr të gjitha masat për mbarëvajtjen e tyre, por nuk është organi që i cakton zgjedhjet e tjera e tjera”, ka vlerësuar Smaka.

Ndërkohë, Dren Doli nga Grupi për Studime Politike e Juridike i ka thënë Radios Evropa e Lirë se vendimi i KQZ-së mund të jetë një precedent shumë i rrezikshëm për Kosovën edhe pas zgjedhjeve.

Duke i lënë si neutrale fletëvotimet, Kosova po rrezikon të lë neutral gjithë pjesën veriore në raport me pavarësinë e saj, sipas kërkesave të Beogradit, tërheq vërejtjen Doli.

“Është një precedent shumë i rrezikshëm i cili mund të përdorët më pastaj nga serbët e veriut për të gjitha rastet e tjera kur logoja e Republikës së Kosovës, apo institucioneve të Republikës së Kosovës kërkohet të vendoset në ndërtesat, dokumentet tjera, aktet nënligjore, udhëzimet që institucionet komunale apo institucionet e Kosovës që veprojnë në veri do të duhej t’i aplikonin sipas ligjit në fuqi”, ka thënë Doli.

Sa i përket aspektit kushtetues, lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do ta dërgoj vendimin e KQZ-së për logon për gjykim juridik te Gjykata Kushtetuese.

Mirëpo, sipas Dren Dolit, Kushtetuesja nuk do të mund të kthejë prapa vendimin e KQZ-së pasi që nuk ka juridiksion mbi këtë organ.

Besoj që kërkesa që mund të vijë nga Lëvizja Vetëvendosje mund të hedhet poshtë nga Gjykata Kushtetuese dhe të shpallet si e papranueshme për shkak ët mungesës së juridiksionit të Kushtetueses që të shqyrtoj vendimet e KQZ-së”, ka deklaruar Doli.

Ndërkaq profesori Riza Smaka beson se edhe nëse dërgohet në Kushtetuese vendimi i KQZ-së, edhe atje do të gjendet një interpretim i cili do të lë në fuqi mospërdorimin e simboleve të shtetit të Kosovës në fletëvotime.

Ai pret që Kushtetuesja të merr një vendim të shpejtë për shkak të afateve të ngushta kohore që kanë mbetur deri në organizimin e zgjedhjeve lokale.

“Gjykata Kushtetuare do të duhej ta gjykonte këtë çështje me urgjencë. Por mos të harrojmë që Gjykata Kushtetuare është gjykatë, por është më pak gjykatë e juridiksionit të përgjithshëm profesional dhe është më tepër e atij politik. Kështu që unë konsideroj që edhe në këtë rast do ta gjejnë njëfarë kompromisi”, ka thënë Smaka.

Çështja e pranisë së simboleve të shtetit të Kosovës në fletëvotime ishte ngritur si problem politik nga Beogradi zyrtar i cili thirrej në neutralitetin e Marrëveshjes së arritur me Prishtinën më 19 prill në Bruksel.

Sipas palës serbe, Marrëveshja është neutrale në raport me statusin e Kosovës, kështu që edhe fletëvotimet, zgjedhjet dhe organet e reja lokale në viset e banuara me shumicë serbe, sidomos në veri, duhet të trajtohen si neutrale.

Në anën tjetër, interpretimi i Prishtinës zyrtare është se me anë të këtyre zgjedhjeve edhe serbët nga komunat veriore më në fund po integrohen në kuadër të institucioneve dhe sistemit juridik të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG