Ndërlidhjet

SHBA: Diskutime për ndërhyrjen e mundshme ushtarake në Siri


Siri...
Siri...
Presidenti amerikan, Barack Obama duket se është afër që ta fitojë përkrahjen e Kongresit për intervenim ushtarak në Siri, si përgjigje ndaj dyshimeve se regjimi i liderit sirian, Bashar al Assad ka përdorur armë kimike.

Obama pasditen e së martës sipas orës tonë, është takuar me liderët e republikanëve dhe demokratëve në Kongres, John Boehner dhe Nancy Pelosi të cilët i kanë dhënë përkrahje thirrjes së presidentit për këtë intervenim.

"Pika kryesore që dua t’ia them popullit amerikan është: Plani ushtarak që është hartuar nga shefat e stafit dhe që unë besoj se është përgjigja e duhur, është një plan proporcional. Është i kufizuar. Nuk përfshinë trupa tokësore. Nuk është fjala për një Irak apo Afganistan. Ky do të jetë një hap i kufizuar dhe proporcional që do të dërgojë një mesazh të qartë jo vetëm te regjimi i (presidenti sirian, Bashar) al Assadit, por edhe te shtete të tjera që mund të jenë të interesuara të sprovojnë normat ndërkombëtare, se këto sprova do të kenë pasoja për ta”, ka thënë presidenti amerikan gjatë takimit.

Këtë kërkesë do e përkrahë udhëheqësi i republikanëve që e kanë shumicën në Kongresin amerikan, John Boehner, i cili pas takimit me presidentin Obama ka thënë se ai do ju kërkojë edhe përfaqësuesve të tjerë republikanë që të veprojnë njëjtë si ai.

Ndërkaq Nancy Pelosi, udhëheqësja e pakicës demokrate në Kongres ka sqaruar se për një intervenim të këtillë nuk është e domosdoshme marrja e aprovimit të Kongresit, ndonëse ajo është e bindur që Dhoma e Përfaqësuesve do ta aprovojë kërkesën e Obamës.

Presidenti amerikan gjatë takimit e ka sqaruar pse e kërkon aprovimin e Kongresit.

"Unë kam marrë vendim që Amerika duhet të ndërmarrë diçka për këtë. Por, unë besoj që ky vendim do të jetë më efektiv, më i fuqishëm, nëse ne veprojmë së bashku, si një komb”, ka sqaruar Obama.

Obama është duke bërë përpjekje ta arrij këtë pasi jo pak kongresistë janë ende në dyshim nëse duhet një ndërhyrje e tillë apo jo.

Ish rivali i Obamës në garën e parë presidenciale, senatori republikan John McCain ka thënë se ai do ta përkrahte kërkesën e Obamës nëse intervenimi nuk do të ishte i kufizuar , por do kishte për qëllim edhe dobësimin e forcave ajrore të Sirisë.

Presidenti Obama të martën e ka sqaruar se çfarë pret ai nga një intervenim ushtarak kundër regjimit të Bashar al Assadit.

"Intervenimi na jep mundësinë neve që ta zvogëlojmë fuqinë e Asadit kur janë në pyetje armët kimike. Kjo gjithashtu bën pjesë në një strategji më të gjerë që brenda kohës së duhur do të fuqizojë në një formë opozitën, por do të forcojë edhe presionin politik, ekonomik dhe diplomatik për të siguruar një tranzicion që do të sjellë paqe dhe stabilitet jo vetëm në Siri, por tërë rajonin”, ka thënë Obama.

Franca të hënën e ka publikuar një raport të inteligjencës së saj që gjithashtu e fajëson regjimin e Assadit për sulmin e muajit të kaluar.

Kryeministri francez, Jean Marc Ayrault të hënën ka thënë se Franca kërkon të krijojë një koalicion që e përkrah sulmin ushtarak.

Franca është bërë aleati kryesor i SHBA-ve për krizën në Siri pasi parlamenti britanik javën e kaluar ka refuzuar përfshirjen e këtij shteti në çfarëdo veprimi ushtarak.

Rusia së bashku me Kinën e kanë bllokuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, miratimin e një rezolute kundër Assadit, duke thënë se mbesin totalisht të pabindur se sulmi kimik është realizuar nga forcat e Assadit.

Ndërkaq, në një intervistë që është publikuar të hënën në të përditshmen franceze, “Le Figaro”, Assadi ka thënë se Lindja e Mesme është një fuçi baruti dhe se sulmi perëndimor në Siri mund ta çoj tërë rajonin në kaos.(a.haraqija)
XS
SM
MD
LG