Ndërlidhjet

Pavarësisht se sektori i prodhimtarisë është gjenerues kryesor i zhvillimit ekonomik të një vendi, në Kosovë politikat ekonomike favorizojnë më shumë bizneset tregtare se sa prodhuesit vendor, vlerësojnë përfaqësues të bizneseve.

Prodhuesve vendorë, sipas tyre, nuk po iu krijohen kushte të favorshme për të zhvilluar biznesin.

Për vite me radhë prodhuesit kosovarë kanë kërkuar një pako stimuluese fiskale e cila do të krijonte lehtësira të caktuara për bizneset, siç janë lirimi i pagesës nga doganat për lëndën e parë, Tatim mbi Vlerën e Shtuar dhe lehtësira tjera, por që deri më tani kërkesat e tyre thonë disa nga prodhuesit nuk janë futur në ndonjërën nga këto pako fiskale që Qeveria e Kosovës i ka miratuar deri më tani.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka thotë për Radion Evropa e Lirë se mungesa e kësaj pako fiskale për bizneset ka bërë që prodhuesit kosovarë të jenë në pozitë jo të mirë krahasuar me prodhuesit e vendeve të rajonit.

Ajo çka i mungon prodhuesve tanë është një pako stimuluese fiskale e cila do të krijonte lehtësira të caktuar për prodhuesit kosovarë, lehtësirat . Gjendja që ndodhemi për momentin është shumë më shumë stimuluese që dikush të merret me tregti sesa ta futet në aktivitetet prodhuese”, thekson Zeka.

Kosova nuk duhet të fokusohet vetëm në shërbime tregtare apo importe vlerëson Zeka, sipas tij duhet të zhvillohen kapacitetet e brendshme të prodhimit.

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë për një deficit të lartë tregtar. Eksporti në muajin qershor të vitit 2013 kishte vlerën 26.3 milionë euro, ndërsa importi 222.4 milionë euro.

Ndërmarrja “Frutex”, nga Suhareka bën prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjetike.

Pronari i kësaj kompanie, Shaqir Palushi tregon për vështirësitë më të cilat përballen si kompani prodhuese në Kosovë.

“Fillimisht të them është jashtëzakonisht vështirë të prodhosh sot, por shumë më vështirë është që të depërtosh në treg me ndonjë produkt. Kemi hasur në vështirësi, por falë marketingut të vazhdueshëm të kompanisë na ka hapur rrugët dhe kemi mund që të kemi qasje ne tregjet rajonale”, thekson ai.

Autoritetet kompetente ndërkaq thonë se po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të ofruar lehtësi dhe mbështetje për komunitetin e biznesit e në veçanti prodhuesve vendorë.

Këshilltarja për media në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë Arta Istrefi bën të ditur për Radion Evropa e Lirë se një ndër prioritetet e kësaj ministrie është mbrojtja e prodhuesve dhe produkteve vendore.

“Ne kemi ligjin për masat mbrojtjes në importe dhe ligjin për masat anti damping dhe kundër balancuese, në këto dy ligje prodhuesit vendor mund të thirren dhe t’i paraqesin ankesat apo kërkesat e tyre. Deri më tani i kemi pasur dy vendime kur prodhuesit vendorë janë mbrojtur”, thekson Istrefi.

Në Kosovë, tatimi mbi vlerën e shtuar, është 16 për qind për të gjitha mallrat, pa marrë parasysh origjinën e tyre dhe 0 për qind për mallrat, të cilat i dedikohen eksportit, kjo normë zbatohet që nga viti 2001.

Ndërkohë që Qeveria e Kosovës në muajin korrik të vitit 2012 kishte liruar nga TVSH ja sektorin e shëndetësisë, arsimit, si dhe mediave elektronike dhe të shkruara.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG