Ndërlidhjet

Komiteti i Senatit mbështet ndërhyrjen në Siri


Pamje nga Siria
Pamje nga Siria
Komiteti për Marrëdhënie të Jashtme i Senatit Amerikan ka rënë dakord për rezolutën, e cila autorizon forcën ushtarake në Siri, për të ndëshkuar Damaskun për sulmin e dyshuar kimik.

Sipas raporteve të shtypit perëndimor, rezoluta ndalon trupat tokësore amerikane nga operacionet luftarake dhe vendos afatin maksimal prej 90 ditësh për çdo aksion.

Komiteti është pajtuar për tekstin, pas seancave dëgjimore.

Të shtunën, presidenti Barack Obama ka bërë thirrje për sulme të kufizuara kundër regjimit të Bashar al-Assadit, por ka thënë se do të kërkojë edhe miratimin e Kongresit.

Uashingtoni thotë se sulmi i 21 gushtit në periferi të Damaskut ka përfshirë gazin sarin dhe ka lënë qindra njerëz të vdekur.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i ka thënë Komitetit se reputacioni i Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre do të dëmtohet, nëse Uashingtoni nuk vepron.

“Jemi këtu pas paralajmërimeve të shumta nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Kongresi, miqtë tanë në të gjithë botën, e madje edhe Rusia e Irani, se regjimi i Assadit dhe vetëm ai ka kryer sulm të egër kimik kundër qytetarëve të tij. Jemi këtu sepse një diktator dhe ndërmarrja personale e familjes së tij, në epshin për pushtet, kanë qenë të gatshëm të infektojnë ajrin e Damaskut me helm, duke vrarë nëna dhe baballarë të pafajshëm dhe qindra fëmijë të tyre”, ka thënë Kerry.

Para Komitetit ka dëshmuar edhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel.

“Presidenti e ka bërë të qartë se qëllimet tona ushtarake në Siri do të jenë për të mbajtur regjimin e Assadit përgjegjës, për të degraduar aftësinë e tij për kryerjen e këtyre sulmeve dhe për të frenuar regjimin nga përdorimi i mëtejshëm i armëve kimike. Departamenti i Mbrojtjes ka shqyrtuar opsionet ushtarake për të arritur këto objektiva. Kemi pozicionuar asetet amerikane në të gjithë rajonin për të ekzekutuar me sukses këtë mision. Besojmë se do ta arrijmë atë me një aksion ushtarak, i cili do të jetë i kufizuar në kohëzgjatje dhe hapësirë”, ka thënë Hagel.

Më herët, presidenti Obama ka siguruar mbështetjen nga republikanët kryesorë për ndërhyrje ushtarake në Siri.

Obama ka shfaqur shpresën se Kongresi do të miratojë “sulmet e kufizuara dhe proporcoionale” kundër regjimit sirian, gjatë votimit në javën e ardhshme.

Në Kombet e Bashkuara, sekretari i përgjithshëm, Ban Ki-moon, ka paralajmëruar se çdo veprim ndëshkues kundër Sirisë mund të shkaktojë më shumë gjakderdhje në luftën civile të këtij vendi.

Ai ka thënë se nëse në Siri janë përdorur armë kimike, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara duhet të ndërmarrë aksione kundër atyre që do të ishin “krime të egra lufte”.

Të martën, Komisioni për Refugjatë i Kombeve të Bashkuara ka thënë se, në 12 muajt e fundit, ka pasur pothuajse dhjetëfish rritje të numrit të refugjatëve, që kanë kaluar kufijtë e Sirisë me Turqinë, Irakun, Jordaninë dhe Libanin.

Rusia dhe Kina kanë përdorur disa herë fuqinë e tyre të vetos në Këshillin e Sigurimt të OKB-së, për të bllokuar rezolutat që dënojnë qeverinë e Assadit.(v.tela)
XS
SM
MD
LG