Ndërlidhjet

Një ditë në parkun e femrave në Sheberghan


Në qytetin Sheberghan të Afganistanit ka filluar ndërtimi i parkut vetëm për femra. I mbrojtur nga të katër anët me rojet e sigurisë, ndërsa i pajisur me pishinë, tavolina dhe lojëra të ndryshme, parku parashihet të jetë një vend i rrallë për rekreacionin e banoreve në këtë qytet.

Mësuesja Shahla Majruh, në qytetin verior afgan, Sheberghan, e përfundon orarin e saj të punës para mesditës, por ajo nuk ngutet të largohet nga shkolla, meqë nuk ka vend më të mirë për relaksim. Ajo mbetet për më tepër se një orë në lokalet e shkollës për të biseduar me koleget e saj.

“Vendi im i punës është vendi i vetëm ku unë mund të takohem me miqtë dhe me kolegët e mi, mësues dhe mësuese”, thotë Shahla Majruh, dhe thekson se “femrat mërziten në shtëpi, por në provincat e Afganistanit, nuk është e zakonshme që ato të shëtisin, të ushqehen jashtë shtëpisë, ose që të kenë ndonjë lloj të kënaqësisë jashtë shtëpisë”.

Por, kjo mënyrë e jetës duket se do të ndryshojë në qytetin Sheberghan, kryeqytet i provincës kryesisht paqësore, Jowzjan.

Aktualisht, autoritetet lokale e kanë filluar ndërtimin e një parku vetëm për femra, në përbërje të të cilit do të ketë kopsht me lule dhe perime, lojëra fëmijësh e të tjera.

Por, ky projekt, fondet për të cilin i ka siguruar Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e Shteteve të Bashkuara (USAID), dhe që pritet të përfundojë deri në fund të vitit, synon të jetë diçka më tepër se vetëm park.

Autoritetet e qytetit planifikojnë të ndërtojnë dyqane dhe restorante, në të cilat do të punojnë ekskluzivisht femrat. Po ashtu, do të ndërtohet edhe një sallë për koncerte, tubime dhe ekspozita të gjërave të qëndisura nga gratë dhe punime të tjera të dorës.

Në provincën Jowzjan, talibanët kanë pak ndikim, kështu që vlerësohet se janë minimale gjasat për hakmarrje të dhunshme për shkeljen e politikave të tyre të ashpra gjinore.

Grupi miliant i talibanëve, që duket se mbetet i fuqishëm në pjesën më të madhe të Afganistanit, i ka dënuar në mënyrë publike gratë, që janë paraqitur në rrugë pa përcjellje të farefisit të gjinisë mashkullore.

Gjatë pesë viteve të regjimit taliban, në periudhën 1996 – 2001, ishin ndërmarrë hapa për çrrënjosjen e kuptimit të ekzistencës së femrave. Në këtë kuadër ia kishin ndryshuar emrin e Kopshtit të Grave në Kabul, i cili ekzistonte për një dekadë, duke e eliminuar fjalën “i grave”.

Autoritetet e qytetit Sheberghan përpiqen që të mos lejojnë asnjë mundësi për kërcënime eventuale ndaj femrave në parkun e ri.

Parku ndërtohet në qendër të qytetit, ku aktualisht ekziston një park i vjetër, jo shumë larg selisë së policisë së provincës, ndërtesave administrative dhe xhamisë kryesore.

Gjatë viteve të fundit, në Jowzjan, ku turkmenët dhe uzbekët etnikë e përbëjnë shumicën e popullatës, gratë dhe të rejat kanë gëzuar një liri relative.

Në agjencitë qeveritare, shkolla dhe spitale, janë të punësuara një duzinë femrash, ndërsa femrat përbëjnë 40% të numrit të tërësishëm të nxënësve në shkollat lokale dhe të studenteve në Universitetin Sheberghan.

Megjithatë, sipas banorit, Ajmal Naseri, sa u përket rolit të femrave, mentaliteti lokal mbetet konservator.

“Nuk pres që parku të jetë i mbushur me femra së shpejti, pasi nuk shoh që meshkujt i lejojnë gratë e tyre të dalin jashtë shtëpisë”, thotë Naseri, gruaja e të cilit është motër medicinale nga kryeqyteti Kabul, por aktualisht mbetet në shtëpi për t'u kujdesur për dy fëmijët e tyre të rinj. “Për shumë njerëz, thjesht, nuk tingëllon mirë që gratë të kënaqen në park”, thotë ai.

Banori tjetër, Basir-Afgha, që e ka një dyqan, thotë:

“Afro 20% të njerëzve, që janë të arsimuar, ndonjëherë i marrin gratë e tyre dhe fëmijët për t'u ushqyer jashtë shtëpisë. Në Sheberghan ekziston një vend me gjelbrim, i cili quhet Jangal Bagh. Gjatë pranverës, disa familje dalin atje për piknik. Por, nuk ka vend tjetër të këtillë në provincën Jowzjan”, thotë Basir-Afgha, dhe shton se ai do ta lejonte gruan e tij, që të shkojë në parkun e femrave, i cili po ndërtohet, por “jo shpesh”.

Mësuesja Shahla Majruh, mezi pret që të hapet parku, pasi nuk ka vende për argëtim vetëm për femra.

“Disa dyqane me akullore dhe me qofte kanë kthina të ndara me perde për gra. Por, këto kthina për femra janë zakonisht më të vogla se sa pjesa e meshkujve. Por, nuk ka asnjë vend special, ekskluzivisht për gra”, tha mësuesja Shahla.

Për parkun, që po ndërtohet, ajo thotë se “nuk kemi pasur kurrë diçka të këtillë”.

Përderisa ky do të jetë parku i parë vetëm për femra në qytetin Sheberghan, parqe të ngjashme ekzistojnë në Afganistan. Parqe të tilla ka në kryeqytetin Kabul dhe në Mazari-e Sharif.

Në parkun e madh në qytetin Xhalalabad, në pjesën lindore të Afganistanit, ekziston parku, ku femrat i kanë të caktuara dy ditë, kur mund ta vizitojnë atë. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG