Ndërlidhjet

Tri aktakuza për rastin e "Kosovo 2.0"


(Ilustrim)
(Ilustrim)
Tre persona janë akuzuar zyrtarisht për rastin e revistës Kosovo 2.0, njofton misioni evropian për sundim të ligjit.

Sipas këtij njoftimi, një prokuror i EULEX-it nga Njësiti Mobil i Prokurorisë, dhe një prokuror i shtetit prej Prokurorisë Themelore të Prishtinës ngritën aktakuzë “kundër tre qytetarëve të Kosovës për përfshirje në sulmin ndaj Kosovo 2.0 që ka ndodhur më 14 dhjetor 2012 në Sallën e Kuqe të Qendrës së rinisë dhe sporteve“.

Sipas njoftimit, “të pandehurit akuzohen për pesë pika sipas kodit të vjetër, ku përfshihen: vepra e shkeljes së statusit të barabartë të banorëve të Kosovës (neni 158, paragrafi 1); vepra e parandalimit apo pengimit të tubimit publik (neni 173); vepra e shkaktimit të lëndimit të lehtë trupor (neni 153); vepra e urrejtjes, përçarjes ose e mosdurimit kombëtar, racor, fetar a etnik (neni 115, paragrafët 1 dhe 3); dhe vepra e dëmtimit të pasurisë së paluajtshme (neni 260, paragrafët 1 dhe 2)“.

Njoftimi gjithashtu thotë se „dy pikat e fundit të akuzës do të preken prej Ligjit për Amnistinë nëse ai hyn në fuqi i pandryshuar“.

Njoftimi i EULEX-it gjithashtu thotë se “ka përfunduar edhe tri hetime të tjera në rastin Kosovo 2.0. Dy raste kanë të bëjnë me fyerje, andaj janë raste të natyrës civile. Viktimat e këtyre rasteve janë njoftuar rreth vendimit dhe atyre iu janë dhënë informata rreth inicimit të procedurës civile, nëse dëshirojnë. Në një rast tjetër, hetimet nuk kanë shpjerë në identifikimin e kryerësve të veprave“.

Misioni evropian për sundim të ligjit, EULEX ka njoftuar gjithashut se Prokuroria ju bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të japin informata nëse njohin personat që kanë kryer sulmin natën e 14 dhjetorit të vitit të kaluar.
Fotografitë mund të gjenden në faqen e internetit të Policisë së Kosovës.
XS
SM
MD
LG