Ndërlidhjet

Për gjashtë muaj, zgjidhen vetëm 14 raste korrupsioni


World -- Corruption - generic photo

World -- Corruption - generic photo

Institucionet që kanë për synim luftën kundër, korrupsionin në periudhën kohore janar-qershor nuk kanë treguar ndonjë rezultat të mirë. Kështu konstatuan të mërkurën, përfaqësuesit e Lëvizjes FOL.

Kjo organizatë publikoi raportin e saj “Monitoruesi i korrupsionit”, në të cilin përfshihen statistikat e përmbledhura të institucioneve relevante në fushën kundër-korrupsion.

Në raport thuhet se gjashtëmujori i këtij viti ka qenë i zbehtë me vetëm 14 lëndë kundër korrupsionit të zgjidhura nga gjykata.

Elbasan Racaj, hulumtues në Lëvizjen FOL, duke iu referuar të gjeturave të këtij raporti, shpjegoi:

“Departamentet e Krimeve të Rënda të Prokurorive Themelore dhe Speciale të Kosovës, kanë pranuar në punë gjithsej 279 kallëzime penale. Nga viti paraprak kemi trashëguar 281 kallëzime penale. Kurse, numri i rasteve të zgjidhura gjatë kësaj periudhën arrin në 359”.

“Numri i kallëzimeve penale që kanë mbetur ende të pazgjidhura, arrin shifrën 1140 raste. Kurse, Gjykatat e Rregullta Themelore të Kosovës, të cilat gjatë kësaj periudhe kohore kanë zgjidhur vetëm 14 lëndë”,
tha Recaj.

Nga ana tjetër, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Hasan Preteni, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se korrupsioni në vend ende nuk ka nisur të gjykohet në mënyrën e duhur dhe kjo, sipas tij, është për t’u shqetësuar, pasi që kjo dukuri është në rritje.

“Agjencia vazhdon të qëndrojë në konstatimet që janë dhënë edhe më herët. Me të vërtetë me këtë shtrirje të korrupsionit kaq të gjerë, në vitin e kaluar gjykatat kanë realizuar vetëm 19 dënime, dënime me burg. Kurse, tani po e shohim edhe nga ky raport që në këtë periudhë janë përfunduar 14 lëndë. Prej tyre, dy kanë përfunduar me dënime me burg".

"Nuk dihet as sa zyrtarë janë dënuar as sa është gjatësia e dënimin. Por, duke e ditur që Kosova është e vogël, e njohim secili secilin, dihet se me këto raste nuk kemi të bëjmë me zyrtarë të lartë, por kemi të bëjmë me zyrtarë të tjerë ose të profileve me të ulëta”,
deklaroi Preteni.

Në publikimin e Lëvizjes FOL, po ashtu thuhet se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, në Policinë e Kosovës, ka hetuar 389 raste dhe ka arrestuar gjithsej 49 zyrtarë të ndryshëm publikë.

Kurse, Qeveria e Kosovës gjatë këtyre muajve ka nxjerrë 183 vendime, nga të cilat vetëm 1 ka pasur të bëjë me “luftë” kundër korrupsion.

Duke iu referuar statistikave të këtij raporti, Kuvendi i Kosovës nga 26 seanca plenare sa ka mbajtur gjithsej, në katër prej tyre ka diskutuar për luftën “kundër” korrupsion.

Sido që të jetë, qytetarët konsiderojnë se institucionet kompetente janë përgjegjëse për nivelin e lartë të korrupsionit.

Naim Krasniqi i kritikon institucionet për mosveprim në luftën kundër korrupsionit:

“Si qytetar, konsideroj se ajo që kanë bërë deri tash, nuk është e mjaftueshme dhe nuk po shoh që ka ndonjë interesim të institucioneve tona që të merren me këtë brengë, e cila nuk po e lë vendin tonë që të zhvillohet”.

Ngjashëm pohon edhe Berat Gashi:

“Institucionet, në vend se ta luftojnë korrupsionin, ato janë duke u thelluar në krizën e korrupsionit. Secilën herë ka më shumë raste të shfaqjes së korrupsionit. Zakonisht, institucionet shëndetësore janë më të korruptuara, mjekët duke kërkuar mjete”.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG