Ndërlidhjet

Gauck nderon viktimat e nazistëve në Francë


Fotografi nga fshati francez, Oradour-sur-Glane, qendra memoriale për masakrën naziste të vitit 1944
Fotografi nga fshati francez, Oradour-sur-Glane, qendra memoriale për masakrën naziste të vitit 1944
Presidenti gjerman, Joachim Gauck i ka nderuar viktimat e një prej krimeve më të rënda naziste në Francë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, raporton Deutsche Welle.

Ai me këtë është bërë presidenti i parë gjerman që e ka vizituar fshatin e boshatisur të Oradour sur Glane.

Shefi i shtetit gjerman, së bashku me homologun francez, Francois Hollande, i kanë kujtuar së bashku 642 persona, në mesin e të cilëve ka pasur gra dhe fëmijë që u vranë nga trupat naziste SS në vitin 1944.

Të dy liderët dhe i mbijetuari, Robert Hebras tani 88 vjeçar, kanë ecur dorë për dore në atë që mediat e kanë cilësuar si nderim prekës të realizuar në kishën e qytezës, ku edhe është kryer masakra.

Për arsye që ende nuk dihet, trupat naziste SS, i kanë mbledhur fillimisht banorët e Oradour sur Glane më 10 qershor 1944 dhe ju kanë kërkuar dokumentet e identifikimit.

Ushtarët më pas i kanë mbyllur gratë dhe fëmijët në kishë, ndërsa meshkujt i kanë dërguar në një hangar.

Gjatë masakrës që u bë më pas, trupat fillimisht kanë hedhur gaz, dhe më pas i kanë vënë zjarrin kishës ku kanë qenë gratë dhe fëmijët.

Ata gjithashtu i kanë vrarë me armë zjarri meshkujt duke i lënë të gjallë vetëm gjashtë prej tyre.

Më pas trupat gjermane e kanë djegur tërë fshatin.

Në fund të Luftës së Dytë Botërore, gjenerali Charles de Gaulle, i cili më pas u bë president i Francës, kishte vendosur që fshati duhej të mbetej i paprekur, duke e ngrirë në kohë atë që tash ka mbetur si kujtim i krimeve naziste.
XS
SM
MD
LG